×
  • Lajme
  • Lajme

    Peja në karantinë, por Gazmend Muhaxheri në ndejë me muzikë live

    Reporteri
    22 Nëntor 2020 | 21:27

    Të premten pasdite, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 18 komuna të vendit kanë hyrë në zonën e kuqe apo rajone që konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit me COVID-19.


    Në mes të këtyre komunave, që dy javë, vazhdon të jetë edhe ajo e Pejës.

    Por, një ditë pasi MSh-ja alarmoi për kujdes të shtuar e shtim të masave, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, u pa në mesin e një grupi njerëzish, pas orës 19:00, kohë kur ora policore përfshin qytetin që ai drejton.

    Nën tingujt e muzikës live, alkoolit e shoqërisë, i pari i Pejës nuk respektoi masat që i vendosi bashkëpartiaku i tij nga LDK, Armend Zemaj, shkruan kallxo.com.

     

     

    Ditë më parë, MSh-ja njoftoi për mesat e reja, ku mes tjerash, parashihet edhe kufizimi i lëvizjes për komunat në zonën e kuqe, nga ora 19:00 deri në ora 05:00.

    Përveç Muhaxherit, në ndejën në Rugovë të Pejës ishte edhe drejtoresha e Kulturës, Xhenet Syka- Kelmendi.

    Vetë Syka-Kelmendi ka refuzuar të flasë për këtë ndejë, pamjet e së cilës ajo vetë i shpërndau në “Instagram”.

    “A mundesh mos me me thirrë në telefon, me më lanë rahat se është e diel, kam nevojë me pushu. Unë nuk e kam me u përgjigj, jam në pushim edhe unë e kam privatësinë time, nuk mundem me ia kallxu kurrkujt”, tha ajo.

    As shefi i qeverisë lokale të Pejës, Gazmend Muhaxheri nuk është përgjigjur thirrjeve në telefon.

     

    Por, mbajtjen e ndejës me muzikë live e ka konfirmuar shoku i Gazmend Muhaxherit, Muhamet Limani. Ai tha se ishte një organizim familjar dhe e gjithë ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e tij në Bogë të Rugovës.

    Ai ka thënë se nuk i kanë shkelur vendimet e qeverisë së Kosovës, të cilat ndalojnë tubimet familjare.

    “Po, ka qenë një mbledhi familjare. Po, në Rugovë në shtëpinë time, ne nuk kemi qenë diku tjetër. Kemi qenë familjarë, kryetarin e Pejës e kam shok”, tha shkurt Limani.

    Ai pohoi se me drejtoreshën e Kulturës në Komunën e Pejës ka afërsi familjare. Ndërsa tha se nuk i kujtohet se deri në sa ora kanë qëndruar duke festuar mbrëmjen e së shtunës.

    “Nuk e di deri në sa ora, jam ra me flejt se u kanë mbrëmë ftoftë ka qenë”, deklaroi ai.

    Që prej shfaqjes së pandemisë, në Kosovë janë infektuar 34 mijë e 295 persona nga COVID-19.

    914 pacientë kanë vdekur ndërsa 21 mijë e 43 janë shëruar.Vendimet e ekzekutivit kosovar ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave nëpër ahengje familjare.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!