×
  • Lajme
  • Lajme

    Ndryshe nga Kurti, Osmani nuk është për bashkim kombëtar: Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane

    Reporteri
    17 Mars 2021 | 13:14

    Ushtruesja e detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë emisionin ‘Hard Talk’ në BBC, ku ndër të tjera është pyetur edhe nëse do ta përkrahte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.


    Për dallim nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili u deklarua se do ta përkrahte me votë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Osmani refuzoi të përgjigjej drejtpërdrejt se a do të votonte pro apo kundër në një referendum për këtë çështje, shkruan Reporteri.net.

    “Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe do të vazhdoj të punoj për këtë. Zotëri Kurti dhe unë u jemi përgjigjur qartazi pyetjeve rreth kontekstit të tanishëm kushtetues të Kosovës.”, ka thënë Osmani.

    Në fund, Osmani u pyet se si do të votonte, nëse në të ardhmen në Kosovë do të mbahej referendum për bashkimin me Shqipërinë. Ajo refuzoi që të përgjigjej drejtpërdrejt, por la të kuptohej se tash për tash e përkrah Kosovën e pavarur dhe nuk dha shenja se do ta përkrahte bashkimin në kontekstin aktual kushtetues.

    “Kjo nuk është pyetje që do t’i përgjigjesha, sepse sipas kushtetutës sonë, nuk mund të ketë referendum për këtë temë. Kushtetuta është e qartë dhe unë vërtet besoj në këtë kushtetutë. Nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë – ndonëse dispozitat për ndryshimin e saj janë jashtëzakonisht të vështira, sepse ato i kërkojnë edhe dy të tretat e komuniteteve joshumicë -, vetëm nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë dhe kjo mund të ndodhë – s’jam e sigurt – pas disa dekadave, në atë kontekst politik do të mund të përgjigjesha. Në kontekstin politik të tanishëm, natyrisht, duke besuar në mënyrë fundamentale në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përgjigjja ime është: Kosova është këtu për të qëndruar, Kosova është përgjithmonë”, deklaroi Osmani. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!