Sot për herë të parë në Kosovë është mbajtur seancë gjyqësore përmes videolidhjes, ku një i burgosur nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan është paraqitur përmes videolidhjes, ndërsa gjyqtarja Fatime Dermaku ka udhëhequr seancën nga ambientet e Gjykatës Themelore në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të Shërbimit Korrektues të Kosovës., për realizimin e kësaj seance janë përdorur pajisje të avancuara audio dhe video që janë dhuruar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL).
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit korrektues dhe drejtësisë në vend, duke kontribuar në rritjen e sigurisë gjatë procedurave gjyqësore dhe duke përmirësuar aksesin e të burgosurve në proceset gjyqësore në mënyrë më efikase dhe të sigurt”, thuhet në njoftimin e SHKK’së.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se kjo siguron lehtësim të procesit gjyqësor, siguri dhe efikasitet, dhe shmangë nevojën për transportin fizik të të burgosurve.
“Për herë të parë në Kosovë, seanca gjyqësore mbahet përmes videolidhjes. Kjo siguron lehtësim të procesit gjyqësor, siguri dhe efikasitet, dhe shmangë nevojën për transportin fizik të të burgosurve”, ka shkruar Haxhiu./Reporteri.net