×
  • Lajme
  • Lajme / Përplasja mes krerëve të shtetit

    Përçarja e liderëve, çka thanë Kurti e Osmani për raportet e ftohura

    Reporteri
    06 Qershor 2024 | 9:00

    Letra që e dërgoi kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, në drejtim të presidentit të Asamblesë Parlamentare shpërfaqi përçarjen mes krerëve të shtetit të Kosovës dhe moskoordinimin për çështjet e jashtme, shkruan Reporteri.net.

    Të mërkurën e kaluar, përçarjen në hije e ka thelluar edhe më shumë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Ai ka thënë se ishte e pamundur që Osmani të njoftohej rregullisht për shkak të largësisë pasi presidentja ato ditë ndodhej në SHBA. Konjufca shtë arsyetuar se ka ndodhur pa qëllim, çka ka nxitur një reagim edhe më të ashpër nga ana e presidentes Osmani.

    E para e shtetit, e ka cilësuar qesharake deklaratën e tij. Ajo ka qenë kritike edhe për faktin se letra e Gërvallës më përpara kishte rënë në duart e dikujt nga shoqëria civile në Gjermani, para Presidencës, Kuvendit, shoqërisë civile apo qytetarëve të Kosovës.

    Një javë pas Kurti e Osmani kanë pranuar se “kanë dallime, por kanë thënë se s’janë të patejkalueshme”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme apo…”, tha kryeministri Kurti të martën para gazetarëve.

    Raportet me Osmanin, Kurti: Kemi bashkëpunim të ngushtë, nganjëherë ka dallime, por s’janë të patejkalueshme

    Edhe e para e shtetit, Vjosa Osmani ka mbështetur deklaratën e fundit të Kryeministrit Albin Kurti se “kanë dallime, por s’janë të patejkalueshme”.

    Osmani tha para gazetarëve se është me rëndësi që të gjitha institucionet të reflektojnë për çështjet e interesit nacional pasi siç tha ajo edhe rezultati do të jetë më i mirë.

    “Meqenëse ka interesim, natyrisht qe kur vendoset interesi shtetëror dhe ai qytetarë, çdo dallim është i tejkalueshëm. Është e domosdoshme qe te gjitha institucionet e Republikës së Kosovës bashkarisht të ulemi e të reflektojmë për çështjet e interesit nacional atëherë edhe rezultati do të jetë i mirë siç e ka dëshmuar historia. Përtej dëshirës dhe vullnetit për ta mbrojtur Kosovën dhe Kushtetutën e saj, e kam edhe detyre kushtetuese, dhe brenda këtyre suazave bashkëpunoj me të gjitha institucionet”, tha Osmani.

    Në pyetjen se a “a po i vjen fundi marrëdhënies bashkëpunuese Osmani-Vetëvendosje”,  presidentja tha se s’ka pasur raport Osmani-VV, pasi siç tha ajo, presidentja s’mban raporte me parti politike.

    Ajo tha se kanë një raport ndërinstitucional, dhe s’ka rëndësi lidhja partiake, por raporti korrekt në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e Republikës së Kosovës.

    “Nuk ka pasur raport Osmani Vetëvendosje. Presidentja nuk mban raport me parti politike, raporti ynë është ndërinstitucional dhe është krejt normale, dhe në fakt është detyrë e të gjitha institucioneve që të bashkëpunojnë në interes të qytetarëve, duke u bazuar në parimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve. Pra nuk ka këtu lidhja partiake ndonjë rëndësi, por ajo për të cilën unë angazhohem vazhdimisht, është raporti korrekt, në përputhje me Kushtetutën dhe interesin e Republikës së Kosovës”.

    “S’besoj ndonjëherë në histori të Kosovës, që ka pasur një presidente me vullnet kaq të madh që të bashkëpunoj edhe me qeverinë edhe me Kuvendin edhe partitë politike që përfaqësojnë qytetarët, se sa vullneti që kam treguar unë. Këtë vullnet e kam edhe sot, siç e kam pasur edhe dje, siç e kam vullnetin për ta mbrojtur Kushtetutën dhe vendin në çdo moment kur mendoj që atocënohen”, tha Osmani.

    Përçarja e liderëve, Osmani: S’kam pasur raport me VV-në, presidentja s’mban raport me parti politike

    Ftohja mes liderëve shtetërorë është vërejtur edhe në takimet me ndërkombëtarët, sidomos me përfaqësuesit më të lartë amerikanë. Zëvendës-ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Gabriel Escobar.

    Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. U shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të, mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.

    Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier. /Reporteri.net/

    Letra e përçarjes

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!