×
  • Lajme
  • Lajme / Rezultatet e zgjedhjeve

    Përditësimi i fundit i votave brenda koalicionit të AAK-së, garë e ngushtë me NISMA’n për një deputet

    Reporteri
    20 Shkurt 2025 | 17:27

    Tashmë janë numëruar 92.58 për qind e votave të kandidatëve për deputet nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Koalicioni i AAK-së me NISMA’n, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së ka siguruar 8 deputetë.

    Por, teksa numërimi i votave për kandidatët për deputet po shkon drejt fundit, gara po bëhet edhe më e ashpër brenda koalicionit ndërmjet AAK-së së Ramush Haradinajt e NISMA’s Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

    Sipas rezultatit aktual, ndarja e ulëseve në Kuvend brenda këtij koalicioni është 5 me 3 në favor të AAK-së, por NISMA nuk është larg sigurimit të mandatit të 4-ërt, që do të çonte në ndarje të barabartë të deputetëve mes dy partive. Gjitha mbetet e hapur deri në numërimin e votës së fundit për deputetë.

    Sipas përditësimit të fundit mandatin e deputetit brenda këtij koalicioni e kanë siguruar Ramush Haradinaj me 38 mijë e 346 vota e Fatmir Limaj me 22 mijë e 528 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Daut Haradinaj deri më tani ka siguruar 22 mijë e 99 vota. Bekë Berisha 13 mijë e 192 vota. Time Kadriaj ka 13 mijë e 161 vota.

    Arbëreshë Krasniqi e NISMA’s, po ashtu, ka siguruar mandatin në Kuvend me 10 mijë e 958 vota.

    Edhe bashkëpartiakja e saj Xhevahire Izmaku falë kuotës gjinore mund të jetë pjesë e Kuvendit të ri, ndonëse e vendosë KQZ-ja, sipas shpërndarjes së mandateve me kuotën gjinore brenda të gjitha partive.

    Por gara më e ngushtë brenda koalicionit po zhvillohet mes kandidatit të AAK-së Lahi Brahimaj dhe atij të NISMA’s, Vesel Krasniqi, për mandatin e fundit të fituar me votë të rregullt.

    Brahimaj i AAK-së aktualisht është më afër të qenurit deputet pasi deri më tani po prinë me 10 mijë e 775 vota në total, kurse Krasniqi i NISMA’s ka 10 mijë e 529 vota. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!