Koalicioni Për Kosovën Fituese, i drejtuar nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga numërimi i deritashëm i votave nga zgjedhjet e 9 shkurtit do t’i sigurojë 8 mandate në Kuvend, katër prej të cilave janë nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.
Gazeta online Reporteri.net ka siguruar përditësimin e fundit nga numërimi i votave që nuk ka përfunduar në tërësi.
Ramush Haradinaj ka aktualisht 36 mijë e 177 vota.
Fatmir Limaj ka marrë sipas këtij përditësimi 21 mijë e 668 vota.
I treti renditet Daut Haradinaj me 20 mijë e 771 vota.
Ai pasohet nga Time Kadriaj me 12 mijë e 359 vota.
Bekë Berisha del se ka arritur të sigurojë edhe një mandat në Kuvendin e Kosovës, me 12 mijë e 339 vota.
Arbresha Krasniqi nga Nisma ka marrë 10 mijë e 720 vota. Ajo vetëm në Malishevë i ka marrë 6 mijë e 558 vota, qytet ky që ndikoi dukshëm në renditjen e kandidatëve.
Xhevahire Izmaku me 9 mijë e 334 vota mund të jetë pjesë e Kuvendit falë kuotës gjinore.
Gazeta online Reporteri.net raportoi pak më parë se ka përfunduar numërimi i votave në Malishevë, ku lideri i koalicionit Ramush Haradinaj ka dalë i 11-ti, duke marrë vetëm 1 mijë e 368 vota./Reporteri.net/