×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfaqësuesi i Bankës Botërore në Prishtinë tregon se pse nuk e financojnë Kosovën e Re

    Reporteri
    02 Prill 2019 | 13:00

    Kosova vazhdon të përjetojë rritje ekonomike pa krijimin e vendeve të punë. Rimëkëmbja në punësim në gjysmën e dytë të vitit nuk arriti të kompensoj humbjet e vendeve të punës në gjysmën e parë të vitit, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike.


    Kështu ka thënë Marco Mantovanelli, drejtor i Bankës Botërore në Prishtinë, gjatë prezantimit të numrit më të ri të Raportit të Rregullt Ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

    Mantovanelli tha se rritja ekonomike në rajon ka qenë rreth 3.8 përqind, ndërsa në Kosovë kjo rritje ka qenë më e lartë rreth 4.2%. Ai tha se Kosova duhet të shënojë përparim më të madh në rritjen e vendeve të punës.

    “Krijimi vendeve të punës është zvogëluar, është ngadalësuar në krejt rajonin, por gjithashtu edhe në Kosovë, dhe më pak vende të punës janë duke u krijuar, sepse prodhimi nuk po krijon vend të reja pune. Në veçanti në Kosovë kemi nevojë për rritje ekonomike me krijim të vendeve të reja të punës. Rruga përpara është mjaft stabile, por megjithatë ka disa cenueshmëri dhe këto janë të kategorizuar në të brendshme dhe të jashtme. Në frontin e jashtëm Brexit është mjaft i vështirë dhe që po krijon vështirësi në rritjen në Eurozonë. Brexit pa një marrëveshje mund të ketë implikime jo vetëm për Mbretërinë e Bashkuar, por edhe për Evropën. Po monitorohet, sepse kjo mund të ketë ndikim në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor që varet shumë në tregti”, theksoi ai.

    Mantovanelli ka kërkuar që të rritet efikasiteti i shpenzimeve në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

    Ai ndër të tjera ka folur edhe për projektin “Kosova e re”, ku tha se mundësia për të financuar projektet me bazë të thëngjillit është bërë i pamundur nga Banka Botërore. Kështu që Banka Botërore, sipas tij, synon mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme.

    “Nuk është një vendim që është marrë në bazë të kostos së projektit, por ka qenë një vendim që është marrë më gjerësisht, nga aspekti më i gjerë. Mundësia për të financuar projekte në bazë të thëngjillit, pra në elektranat që e përdorin thëngjillin është ngushtuar shumë, që është bërë gati i pa mundur, ngaqë ne përfaqësohemi nga aksionarët e ndryshëm dhe shumica e tyre kërkojnë që me fondet tona që janë nga tatim paguesit, të financohen drejt formave më të gjelbëruara”, theksoi Mantovanelli.

    Sipas raportit të Bankës Botërore, perspektiva e Kosovës është pozitive, me një rritje mesatare të parashikuar prej 4.5 përqind deri në vitin 2020, por u nënshtrohet rreziqeve nga pasiguria politike, përhapja e përfitimeve sociale të pashënjestruara, ligji i ri për pagat publike, dhe zbatimi i ngadaltë i investimeve në infrastrukturë. /KPress/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!