×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfaqësuesi i PDK në KQZ: Po tentohet vjedhja e të dhënave personale të Diasporës

    Reporteri
    14 Janar 2021 | 20:26

    Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor nga radhët e PDK, Arianit Elshani, ka ftuar qytetarët e Kosovës në diasporë që të bëjnë kujdes dhe të regjistrohen për votim vetëm përmes faqes zyrtare të KQZ.


    Ai i ka ftuar diasporën që mos të bien pre e mashtrimeve të dy faqeve online që sot janë lansuar nga persona ende të panjohur e që kanë për qëllim vjedhjen e të dhënave personale.

    Ai tha se KQZ si institucion ka kërkuar nga Policia e Kosovës të hetojë dhe të sjell para drejtësisë keqbërësit që po synojnë manipulimin e votuesve në diasporë.

    Deklarata e plotë e Arianit Elshanit:

    Sot gjatë ditës si përfaqësues i PDK-së në KQZ jam njoftuar për dy aplikacione për votimin nga jashtë, që po qarkullojnë nëpër rrjete sociale.

    Këto dy aplikacione, as nuk janë zyrtare e as nuk janë të mbështetura nga KQZ. Prandaj edhe kemi reaguar si KQZ duke ftuar policinë për të identifikuar dhe ndalur keqpërdorimin që mund të bëhet me të drejtën e votës së bashkëatdhetarëve tanë.

    Po tentohet vjedhja e të dhënave personale që mbrohen me ligjet e Kosovës dhe legjislacionin e Bashkimit Evropian. Ky aplikacion rrezikon integritetin e çdo vote dhe çdo të dhëne personale të qytetarëve që jetojnë jashtë vendi, e që mund të bien pre e keqpërdorimit nga tendencat e këqija politike duke ndryshuar vullnetin e diasporës.

    Ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të keqpërdorimit dhe abuzimit që i’u është bërë votës nga jashtë në zgjedhjet e 2017 dhe 2019, prandaj ftoj diasporën tonë të përdorin vetëm formularin zyrtar të KQZ-se dhe linkun zyrtar për aplikim dhe mbështes organet e drejtësisë dhe sigurisë që të hetojnë deri në fund se kush qëndron prapa këtyre aplikacioneve që mund të abuzojnë votën e diasporës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!