×
  • Lajme
  • Lajme

    Përfundojnë deklaratat hyrëse në Hagë, çka thanë dhe si iu përgjigjën katërshja e UÇK-së akuzave të ZPS-së

    Reporteri
    05 Prill 2023 | 12:38

    Në Dhomat e Specializuara në Hagë kanë përfunduar deklaratat hyrëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, mbrojtësit të viktimave dhe ekipeve të mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse.

    Fjalime para Speciales mbajtën edhe vetë ish-krerët e UÇK-së, me përjashtim të Kadri Veselit.

    Por çka thanë ish krerët e UÇK-së në fjalimet e tyre para Speciales:

    Ish-presidenti Hashim Thaçi, mbrojtja e së cilit ishte e para që paraqiti deklaratën hyrës, në fjalën e tij para trupit gjykues, është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e Prokurorisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ish-presidenti i Kosovës tha në gjykatë se është i gatshëm të përballet edhe me këtë sfidë dhe pret të ketë sukses për familjen e vendin e tij.

    Thaçi ndër të tjera u shpreh i lumtur për faktin se ky proces, siç tha ai dëshmoi se nuk ka pasur trafikim organesh e as “shtëpi të verdhë” dhe se siç tha ai “Kosovës tashmë i është hequr reja e zezë”, të cilën ia kishte vënë raporti i Dick Martyt.

    “Bota tani e di sot si rezultat i këtij procesi se nuk kishte trafikim organesh dhe se Shtëpia e Verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë edhe UÇK-ja, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ja ka vlejtur”, tha Thaçi ndër të tjera.

    “Jam gati të përballem me këtë sfidë, askush nuk mund ta rishkruajë historinë”, fjalimi i plotë i Thaçit para Speciales në Hagë

    Në anën tjetër, për dallim nga Thaçi, Veseli nuk mori fjalën e tij para Speciales. Avokati i tij, Ben Emmerson tha se kundër Kadri Veselit nuk ka asnjë provë e as dëshmitarë se ai ka kryer ndonjë prej veprave me të cilat po ngarkohet nga prokuroria.

    Emmerson, tha se mbrojtja e kundërshton përshkrimin që prokuroria ia ka bërë UÇK-së si organizatë që drejtohej nga lartë poshtë apo që udhëhiqej, administrohej nga individ që thuhej se kanë qenë anëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

    Avokati i Veselit: Të përshkruash UÇK-në si shtab i përgjithshëm do te ishte shtrembërim i fakteve

    Në fjalën e tij, Rexhep Selimi, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se nuk ka frikë nga drejtësia, por që nga padrejtësia duhet të kenë të gjithë.

    Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se vendosi t’i linte të gjitha për t’ia bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Por, gjatë fjalimit të tij, Selimi tha se ani pse donin të organizonin ushtri, nuk ia arritën një gjë të tillë, e ani pse donin të mundnin Serbinë, ai theksoi se ajo gjë u arrit vetëm me ndihmën e shteteve nga jashtë.

    Selimi beson se në fund të procesit ai do të shpallet i pafajshëm bashkë me të tjerët, dhe “do të kthehen në Kosovë të lirë”.

    “Nuk kam frikë nga drejtësia, por nga padrejtësia duhet të kemi të gjithë. Qëndroj përballë jush, se në fund të procesit do të vendosni në pafajësinë time. Në këto çaste kur ne po flasim, e po na shohin bashkëkombësit, kam shumë besimin se të gjithë së bashku do të nxjerrim te vërtetën, dhe unë bashkë me të tjerët, do të kthehemi në vendin tonë të lirë për të cilin luftuam dhe punuam gjatë gjithë jetës tonë”, tha ai në Hagë.

    Selimi: Lashë ëndrrat e mia në Drenicë dhe iu bashkova UÇK-së, nuk kam frikë nga drejtësia por nga padrejtësia

    Në ditën e tretë të gjykimit, mbrojtja e Jakup Krasniqit ishte e fundit që mbajti deklaratat hyrëse. Në këtë seancë një fjalë të gjatë e mbajti edhe Jakup Krasniqi.

    Krasniqi ka thënë se nuk e kupton logjikën e aktakuzës ndaj tij. Ish zëdhënësi i UÇK-së ka thënë se ndaj popullit shqiptar në Kosovë vazhdimisht është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime dhe askush nuk mund të thotë se ai ka bërë ndonjë nga këto krime, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Unë nuk e kuptoj logjikën e akuzës së tanishme ndaj meje. Ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike, vrasje dëbime. Unë e urrej dhunën, burgosjet, torturat, dënimet jo vetëm se janë ushtruar ndaj popullit tonë e ndaj meje, por i konsideroj të ulta dhe çnjerëzore. Çdo njeri që flet të vërtetën le të ju thotë se unë Jakup Krasniqi asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në vrasje, burgosje, në asnjë formë të presionit ndaj kujtdoqoftë”, ka thënë Krasniqi ndër të tjera.

    Të mërkurën Krasniqi drejtoi tri kërkesa për Prokurorinë Speciale, duke kërkuar mes tjerash që të mos keqpërdoren materialet e tij.

    “I nderuar kryetar i gjyqit, i kam edhe tri lutje për trupin tuaj gjykues: Lutja e parë: Mos lejoni që të keqpërdoren mendimet e opinionet individuale të pasluftës për kohën e luftës. Kërkesa e dytë: Mos lejoni që shënimet e mia për shkrimet e librave të mia shkencore dhe publicistike të përdoren si dëshmi për vepër penale siç pretendon ZPS-ja. Dhe, e treta për komunikatat: Unë po lexoj atë që është thënë në aktgjykimin për lirimin e Fatmir Limajt në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës. ‘Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UÇK-në dhe aktivitetet e saj, me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin’. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për z. Ramush Haradinaj. Ju lus që materialet të mos keqpërdoren sepse unë mendoj që shënimet e mia për të shkruar libër, Prokuroria i ka keqpërdorur skajshmërisht”-deklaroi Krasniqi.

    Ai tha se është “absurde” akuza se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, kanë “persekutuar” anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. /Reporteri.net/

    Krasniqi në Hagë: Vetëm një mendje e çoroditur mund të thotë se kam marrë pjesë në persekutimin e anëtarëve të LDK-së

    Ndryshe pas dëgjimit të mbrojtjes së Krasniqit, mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar të ndryshohet renditja e dëgjimit të dëshmitarëve, për ta mundësuar dëgjimin e mëhershëm të dëshmitarit numër 3.

    Por ky propozim është refuzuar nga Gjykata e cila i ka kërkuar Zyrës së Prokurorit që të tregojë afatin sa kohë i duhet për të dëgjuar të gjithë dëshmitë e dëshmitarëve.

    Ndërsa nga mbrojtja është kërkuar që brenda ditës të përcaktojë periudhën kohore se sa kohë do të marrë marrja në pyetje e 12 dëshmitarëve të parë. Kërkesën e njëjtë gjyqtari e ka pasur edhe për Prokurorinë, por për t’u përgjigjur pas dëgjimit të dëshmitarit të parë.

    Seanca e radhës pritet të mbahet me 11 prill./Reporteri/

    Përfundon seanca ndaj ish-krerëve të UÇK-së, seanca e radhës me 11 prill

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!