×
  • Lajme
  • Lajme / Detaje

    Përfundon aksioni në veri, Policia konfiskon dokumente, pajisje e municion – s’kishte ndonjë incident

    Reporteri
    30 Gusht 2024 | 20:49

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar aksioni në katër komunat veriore, me ndërprerjen e aktiviteteve ilegale dhe mbylljen e pesë objekteve të komunave ilegale.

    Në cilësi të provave materiale, Policia ka thënë se janë konfiskuar dokumentacione, pajisje teknologjike dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me aktivitetet ilegale, të ushtruara nga strukturat ilegale në këto objekte, shkruan Reporteri.net.

    Në njoftim thuhet se operacioni ka përfunduar pa ndonjë incident.

    Ndërkohë, në një operacion të ndarë në objekte përcjellëse të spitalit në Mitrovicë Veri, Policia gjatë kontrollit ka gjetur dhe sekuestruar; një xhaketë ushtarake, një çantë krahu, disa fishek me rrethatore, dy thika dhe mbështjellës/këllëf të armës së gjuetisë.

    “I tërë operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, përderisa ka përfunduar në orët e mbrëmjes pa ndonjë incident apo rast për tu veçuar, ndërsa procedurat e mëtejme hetimore do të vazhdojnë nga njësitet relevante policore nën autorizimin e prokurorisë kompetente. Ruajtja e rendit dhe sigurisë publike, zbatimi vendimeve të institucioneve dhe ligjit në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase, si dhe ofrimi i sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, mbetet detyrë dhe përkushtim i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Aksioni u krye me kërkesë të Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal. Ministri Elbert Krasniqi tha se nuk ka vend për operim ilegal dhe shërbime paralele në asnjë hapësirë të Republikës së Kosovës.

    “Komunat paralele të cilat nuk do të operojnë më janë: 1. Qarku i Mitrovicës së Kosovës; 2. Komuna paralele e Mitrovicës; 3. Komuna paralele e Zveçanit; 4. Komuna paralele e Zubin Potokutl 5.Komuna paralele e Leposaviqit. Këto 5 sot i bashkohen 7 komunave të tjera paralele të cilat u mbyllën në Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.
    Institucionet e Republikës së Kosovës oftojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, ka shkruar Krasniqi.

    Aksioni i Policisë së Kosovës në veri, Krasniqi: U mbyllën 5 zyre paralele të Serbisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!