Ka përfunduar mbledhja e grupit parlamentar të VV-së, në të cilën u diskutua për koalicionin me LDK-në.
Ndonëse nuk pranuan të prononcoheshin para mediave, deputetët e zgjedhur të VV-së megjithatë konfirmuan se edhe sot mund të mos ketë takim mes Kurtit e Mustafës, shkruan Reporteri.net.
Deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu shkurtimisht ka thënë se nuk beson se takimi mes Mustafës e Kurtit do të ndodhë sot.
E pyetur nëse sonte do të ketë takim mes dy kryetarëve, Albin Kurti e Isa Mustafa, Haxhiu ka thënë se nuk beson se do të ketë një të tillë.
Në anën tjetër, Arbërie Nagavci nga VV pas përfundimit të mbledhjes ka dalë me një njoftim me çka ka lënë të nënkuptohet se VV-ja nuk do të lëshojë pe për postin e presidentit, të cilin po e kërkon Lidhja Demokratike e Kosovës.
Nagavci ka thënë se është fat që VV-ja ka një lider që të ardhmen e popullit e ka më të rëndësishme se cilindo post publik.
“Është fat që kemi një lider që të ardhmen e popullit e ka më të rëndësishme sesa cilindo post publik, një njeri që qeverisjen e kupton si përgjegjësi e jo privilegj.Në të ardhmen ai do të vendos standarde të reja jo vetëm të qeverisjes, por edhe të marrëveshjeve eventuale politike që në të kaluarën të tjerët i kanë kuptuar vetëm si pazare!”, ka shkruar Nagavci.
Kujtojmë se VV e LDK ende nuk kanë arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje. Pengesë është bërë pozita e presidentit të vendit, që LDK po e dëshiron, por këtë po e kundërshton partia e Kurtit./Reporteri.net