Ka përfunduar pa arritjen e ndonjë marrëveshje takimi mes Albin Kurtit e Isa Mustafës, i cili zgjati rreth dy orë në Kuvendin e Kosovës.
Edhe sonte siç duket posti i kryekuvendarit ka qenë “mollë sherri”, që VV e LDK të mos arrijnë marrëveshje.
Para takimit të sotëm, Kurti e Mustasfa u takuan fshehtë të premten mbrëma larg syrit të mediave në Universitetin Amerikan, e jo siç u raportua në Prapashticë siç raportuan mediat.
Këtë e konfirmoi vet Kurti sot nga Prizreni. “Takimi i fundit ishte të premten, jo në Prapashticë po në Universitetin Amerikan”, tha Kurti.
Ky takim erdhi pas disa ditësh bllokadë, dhe fyerje e akuzave mes zyrtarëve të VV-së e LDK-së ku fajësuan njëri-tjetrin për mosarritjen e marrëveshjes.
Rreth 20 takime, pa marrëveshje…
Deri në takimin e sotëm, VV e LDK kanë mbajtur rreth 20 takime, ku edhe pse premtuan se brenda 72 orëve do dakordohen për qeverinë, këtë nuk ia arritën qëllimit, shkruan Reporteri.net.
Por cilat janë ofertat e fundit që dy partitë i bën njëra-tjetrës, çka u bllokuan bisedimet, deri ditën e sotme.
Më 14 janar, Kurti i dërgoi letër Mustafës, ku i bëri ofertë për rritjen e shtimit të ministrive nga 12 në 14 sosh, me ç’rast VV i ka 5 ministri kurse ldk 6 ministri, si dhe për Presidentin bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Këtë propozim LDK nuk e pranoi, dhe një ditë pas i dërgoi propozim VV-së.
LDK-ja i tha VV-së se e do kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë partisë së Kurtit, shkruan Reporteri.net.
Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
Kurse sa i përket numrit të ministrive LDK i tha VV-së se duhet të mbete në 12, siç janë dakorduar më herët, me përjashtim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Kurse sa i përket Presidentit, LDK tha se partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, do të përkrahin kandidatin e propozuar prej tyre.
Si rezultat i kësaj marrëveshje, LDK tha se deri në zgjedhjen e Presidentit: VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri, shkruan Reporteri.net.
Kurse pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
LDK në fund të propozimit të saj tha se të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme. /Reporteri.net/.
/Reporteri.net/.