Në katër komunat veriore të Kosovës, në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, sot janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet janë hapur me kohë dhe se votimi ka rrjedhur normalisht.
Vendvotimet janë hapur nga ora 7:00, kurse nga ora 19:00 ka filluar mbyllja e tyre, kur edhe ka nisur numërimi i votave.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka tha gjatë konferencave te saj për media se procesi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në komunat veriore kaloi mirë dhe pa ndonjë problem.
Zgjedhjet në veri janë vëzhguar edhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV).
Ky koalicion ka njoftuar se në bazë të të dhënave të tyre në terren, deri në orën 16:00 kanë votuar 35 për qind të qytetarëve me të drejtë vote.
Në mesin e parregullsive, thuhet në njoftimin e DNV-ë, është raportuar votimi me dokumente të Serbisë, votimet familjare, raste të votimit jashtë kabinave si dhe tentimet për të votuar më shumë se një herë.
Pas mbylljes së vendvotimeve Reporteri.net realizoi një intervistë me kandidaten e PDK-së për kryetar Gonxhe Çaushi dhe kandidatin e Vetëvendosjes Erden Atiq.
Kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës së Veriut: Gara ime me Serbinë jo me shqiptarët