Ka përfunduar takimi i gjashtë dhe i fundit ndërmjet grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Takimi i fundit në të cilin u diskutua për çështje sociale, i hapë rrugë takimit të liderëve të të të dy partive. Këtë e konfirmoi edhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili tha se të dy grupet punuese janë dakorduar për programin qeverisës ndërsa shtoi se pjesa tjetër i takon liderëve, shkruan Reporteri.net.
“Besoj që kemi vendosur një standard të ri dhe një transparencë të plotë para qytetarëve pas këtyre takimeve. Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar jemi dakorduar për strukturën e qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash i përket liderëve politikë të vendosin për formimin e qeverisë”, u shpreh ndër të tjera Hoti.
Më tutje Hoti ka thënë se në takimet e grupeve punuese është biseduar në detaje për madhësinë dhe strukturën e qeverisë së ardhshme.
“Për aq sa kemi pasur mandat si grupe punues ne jemi dakorduar për madhësinë dhe strukturën e qeverisë. Jemi dakorduar në detaje për sektorët dhe tash u takon liderëve politik që ta përmbyllin marrëveshjen”, ka deklaruar ai.
Në grupin punues të LDK-së përveç Avdullah Hotit ishte edhe Lumir Abdixhiku, Hykmete Bajrami e zyrtarë të tjerë. Ndërsa nga Vetëvendosje ishin Albulena Haxhiu, Glauk Konjufca e të tjerë. Takimi i mbajt në zyret e Vetëvendosjes. /Reporteri.net