Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Pas takimit, Kurti nuk është deklaruar për media, ndërsa Abdixhiku ka thënë se do të përpiqen që të takohen sërish.
“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në dy partitë. Siç e do rendi kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojm njëri-tjetrin. E njoftova z.Kurti për atë që ka ndodhë dje, dhe ai më njoftoi mua për zhvillimet.”, tha ai.
I pyetur se çka do të ndodhë pas këtij hapi, Abdixhiku tha”duhet t’i pyesni ata që kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një fazë të paqartë.”
Takimi i sotëm u zhvillua në një kohë kur kandidatura e Bekim Sejdiut për president është përballur me kundërshtimin e një pjese të Grupit Parlamentar të LDK-së.
Të martën, gjashtë nga 18 deputetët e LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut për president.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, Abdixhiku bëri të ditur se Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri janë shprehur kundër votimit të Sejdiut.
Ndërkohë, po të martën është mbajtur edhe mbledhja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.
Pas saj, Kurti tha se deputetët e LVV-së ishin pajtuar për kandidaturën e Sejdiut. Megjithatë, ai theksoi se pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së, numri maksimal i votave që mund të sigurojë kandidatura e Sejdiut është 74.