Ka përfunduar takimi i ish-kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, me përfaqësuesit e partive politike, ku u diskutua për përgatitjen e seancës konstitutive të legjislaturës së nëntë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Konjufca tha se me përfaqësuesit e partive politike diskutuan për ndarjen e ulëseve në Kuvend dhe për skenarin për mbajtjen e mbledhjes e cila themelon legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovë.
“Bashkë me ta e diskutova skenarin për mbajtjen e mbledhjes e cila e themelon legjislaturën e nëntë të Kuvendit tonë. Këto bëhen të gjitha në bazë të rezultateve të cilat i ka certifikuar KQZ-ja. Gjithçka shkoi mirë, u caktuan ulëset. Nuk ka ndryshim shumë të madh sa u përket ulëseve, në mes ulet partia me më së shumti ulëse, pra Vetëvendosje, krahu i majtë dhe i djathtë janë PDK dhe LDK, Aleanca ulet po aty ku ka qenë dhe pakicat sipas të njëjtës radhë. Skenarin me ndryshime të vogla simbolike në krahasim me legjislaturën e kaluar, e diskutuam. Gjithçka shkoi mirë”, tha Konjufca para mediave.
Ai u pyet se a do të jetë sërish i propozuar për kryetar të Kuvendit. Konjufca tha se ende nuk kanë vendim për emrin e kryeparlamentarit. Ai tha se është e pamundur që Qeveria të themelohet pa një koalicion e cila krijon mazhorancën dhe këtij principi i nënshtrohet edhe posti i kryetarit të Kuvendit.
“Sa i përket kryetarit të Kuvendit, ende nuk e ka vendim. Kjo se mend oj se të gjitha pozitat sa i përket përbërjes së re të mazhorancës e cila do të shndërrohet pastaj në Qeveri i nënshtrohen disa principeve e njëra nga ta është përpjekja për me themelu qeverinë sepse kuvendi themelohet për me mujtë me i zgjedh institucionet tjera. Kur jemi te Qeveria është e pamundur pa u themelu një koalicion e cila e krijon mazhorancën e aftë për me mujtë me themelu një qeveri të re. Prej të gjitha pozicioneve unë do ta kisha futë këtu edhe kryetarin e Kuvendit që i nënshtrohet këtij principi”, tha Konjufca para mediave. /Reporteri.net/