Ka përfunduar takimi më shumë se dy orësh mes kreut të VV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.
Krerët e këtyre partive nuk kanë folur pas mbarimit të takimit, në vend të kësaj ata kanë zgjedhur t’i ikin gazetarëve, shenjë kjo që këto parti as sonte nuk kanë arritur marrëveshje.
Posti i kryekuvendarit është “mollë sherri” që VV e LDK nuk po arrijnë marrëveshje, pasi asnjëra nga partitë nuk lëshuan pe.
Para takimit të sotëm, Kurti e Mustasfa u takuan fshehtë të premten mbrëma larg syrit të mediave në Universitetin Amerikan, e jo siç u raportua në Prapashticë siç raportuan mediat.
Këtë e konfirmoi vet Kurti sot nga Prizreni. “Takimi i fundit ishte të premten, jo në Prapashticë po në Universitetin Amerikan”, tha Kurti.
Ky takim erdhi pas disa ditësh bllokadë, dhe fyerje e akuzave mes zyrtarëve të VV-së e LDK-së ku fajësuan njëri-tjetrin për mosarritjen e marrëveshjes.
Rreth 20 takime, pa marrëveshje…
Deri në takimin e sotëm, VV e LDK kanë mbajtur rreth 20 takime, ku edhe pse premtuan se brenda 72 orëve do dakordohen për qeverinë, këtë nuk ia arritën qëllimit, shkruan Reporteri.net.
Por cilat janë ofertat e fundit që dy partitë i bën njëra-tjetrës, çka u bllokuan bisedimet, deri ditën e sotme.
Më 14 janar, Kurti i dërgoi letër Mustafës, ku i bëri ofertë për rritjen e shtimit të ministrive nga 12 në 14 sosh, me ç’rast VV i ka 5 ministri kurse ldk 6 ministri, si dhe për Presidentin bëhet një formulim i përbashkët bazuar në draftin fillestar nga LDK që përfshin qëndrimin karshi presidentit aktual, përpjekjen për koncensus dhe kufizimin karshi ujdive eventuale me ish PAN-in.
Këtë propozim LDK nuk e pranoi, dhe një ditë pas i dërgoi propozim VV-së.
LDK-ja i tha VV-së se e do kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë partisë së Kurtit, shkruan Reporteri.net.
Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka Kryeministrin, LDK-ja Kryetarin e Kuvendit). Ndërkaq, në tri vitet e tjera, VV-ja mban dy pozita të larta shtetërore (Kryeministrin dhe Kryetarin e Kuvendit), kurse LDK-ja një pozitë (Presidentin, por që shërben si faktor unifikues sipas kushtetutës).
Kurse sa i përket numrit të ministrive LDK i tha VV-së se duhet të mbete në 12, siç janë dakorduar më herët, me përjashtim që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i bashkohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ndahet nga Ministria e Punëve të Brendshme, ku është integruar sipas marrëveshjes së arritur në takimet e mëparshme, dhe mbetet për komuniteteve jo shumicë krahas Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Kurse sa i përket Presidentit, LDK tha se partnerët e koalicionit, në përputhje me dispozitat kushtetuese, do të përkrahin kandidatin e propozuar prej tyre.
Si rezultat i kësaj marrëveshje, LDK tha se deri në zgjedhjen e Presidentit: VV do të ketë Kryeministrin, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe pesë ministri, ndërkaq LDK do të ketë Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe pesë ministri, shkruan Reporteri.net.
Kurse pas zgjedhjes së Presidentit, të propozuar nga LDK-ja: VV do të ketë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Nënkryetarin e parë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e dytë dhe 5 ministri, ndërkaq LDK do të ketë Presidentin si kandidat të saj të propozuar (por që si President vepron si faktor unifikues sipas Kushtetutës), si dhe Nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Zëvendëskryeministrin e parë dhe 5 ministri.
LDK në fund të propozimit të saj tha se të gjitha çështjet e tjera mbesin ashtu siç janë dakorduar në takimet e mëparshme. /Reporteri.net/.