Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka ironizuar me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti i cili në ftesën për koalicionin me LDK-në, përjashtoi një të tillë me PDK-në, shkruan Reporteri.net.
“Rrushi që nuk arrihet, është i thartë!”, ka qenë një pjesë e përgjigjes së Lladrovcit, referuar kësaj deklarate të Kurtit.
Për kryetarin e Drenasit, letra e Kurtit është si “rifillim i gërryerjes finale të elektoratit që nuk arriti ta marrë nga LDK në dy palë zgjedhjet e kaluara”.
Postimi i plotë:
Rrushi që nuk arrihet, është i thartë!
As seanca e njëmbëdhjetë nuk doli të jetë e vërtetë. Procesi politik bllokohet kur lakmia dhe babëzia për pushtet e mbisundon germën e Kushtetutës dhe ato interpretohen sipas qejfit të palëve.
Partia e parë me veprime është bërë lehtë e lexueshme. Një deputet, sikur nga thesi i babadimrit “dhuron” post në Kuvend, me shpresë se e bën qeverinë ku shporta e dhuratave për ata që “thyhen”, mund të jetë shumë më e pasur – me ministri, diplomaci, agjenci, kontrata njëburimore, etj.
Letrën e Vv-së e shoh si rifillim i gërryerjes finale të elektoratit që nuk arriti ta marrë nga LDK në dy palë zgjedhjet e kaluara, ndërsa PDK mbetet rrush i thartë për partinë e parë, dihet, rrushi që nuk arrihet, është i thartë!
/Reporteri.net/