×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Përleshje mes pesë personave në Shtime, dy përfundojnë në spital – arrestohen

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 13:47

    Një përleshje e ashpër mes disa të rinjve në rrugën “Skënder Salihu” në Shtime ka përfunduar me dy persona të lënduar rëndë dhe pesë të arrestuar.

    Ngjarja ka ndodhur më 20 qershor rreth orës 23:00, ku sipas policisë, janë përdorur mjete të forta dhe një thikë gjatë konfliktit.

    Komunikata e plotë:

    Ferizaj, 22.06.2025

    Arrestohen pesë persona për lëndim të rëndë trupor në Shtime

    Më datë 20.06.2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Skënder Salihu” në Shtime ka ndodhur një përleshje fizike mes disa personave, ku dyshohet se janë përdorur mjete të forta dhe një thikë. Si pasojë, dy persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

    Hetuesit rajonalë nga Sektori i Hetimeve Rajonale në bashkëpunim me njësitet policore në Shtime, të autorizuar nga prokurori kujdestar, më 21.06.2025 kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe rreth orës 22:40 kanë arrestuar pesë persona të dyshuar: A. M. (19 vjeç), Sh. R. (19 vjeç), E. S. (18 vjeç), A. M. (17 vjeç) dhe L. M. (17 vjeç).

    Sipas hetimeve paraprake, mes palëve kishte pasur konflikte të mëhershme, ndërsa përleshja ka ndodhur pas një fjalosjeje gjatë lëvizjes me veturë në të njëjtën rrugë.

    Tre të dyshuar (A. M., Sh. R. dhe E. S.) janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa dy të miturit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Rasti është duke u trajtuar nga hetuesit rajonalë dhe për çdo zhvillim tjetër do të jeni të informuar me kohë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!