Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ishte prezent në fitoren e Kosovës ndaj Irlandës së Veriut bashkë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku në zonën VIP të stadiumit “Fadil Vokrri”, ku ishte edhe kryeministri Kurti dhe figura tjera të njohura.
Te gjithë ata e festuan fort fitoren e “Dardanëve” dhe një gëzim i madh u vërejt edhe te Rama.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Përparim Rama tha se Komuna e Prishtinës synon që ta jetësojë sa më shpejt zgjerimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.
Ai tha se këtë projekt bashkë me FFK-në synon ta realizojë brenda këtij mandati si kryetar i komunës. Rama theksoi se planifikohet nje zgjerim prej 8 mijë ulëseve.
“E kemi si pjesë të programit rritjen e kapacitetit të stadiumit. Vetëm të vazhdojmë me fitore, Kosova, Prishtina. E kemi në program dhe jemi t’u punu në atë aspekt, në 8 mijë ulëse shtesë”, tha Rama për Express.
Kapaciteti momental i stadiumit “Fadil Vokrri” është 13,500 ulëse. Ky numër është i pamjaftueshëm, kur Kosova zhvillon ndeshje, pasi kërkesat e kosovarëve për bileta janë shumëherë më të mëdha.