Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka mohuar se është kërcënuar pasi Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për kërcënim ndaj Ramës dhe kryesuesit të Kuvendit Komunal.
“Mediet kanë raportuar një kërcënim ndaj meje si Kryetar i Kryeqytetit. Dua të sqaroj se nuk ka pasur asnjë kërcenim ndaj meje dhe se raportimet e tilla nuk janë të sakta., ka shkruar Rama në “Facebook” referuar lajmeve që mediat në Kosovë kanë publikuar të premten me burim nga Policia e Kosovës.
Megjithatë, Policia përmes raporti 24-orësh ka thënë të kundërtën.
“Më 23.05.2024 pas hetimeve të zhvilluara është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar me dyshimin se i njëjti gjatë zhvillimit të një diskutimi lidhur me planin rregullues të një lagjeje të kryeqytetit, kishte kanosur dy zyrtarë të KK Prishtinë (kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal)”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
Gjatë ditës edhe përfaqësuesit e banorëve të Kalabrisë, kanë kërkuar lirimin e bashkëqytetarit të tyre, Bastri Tërnava, i cili u përmend si i arrestuari për kërcënimin ndaj Ramës.
Milot Krasniqi, kryetar i bashkësisë lokale në Kalabri ka thënë se Tërnava nuk ka kërcënuar po vetëm ka cituar fjalët e kryetarit Përparim Rama, shkruan gazeta onlien Reporteri.net.
“Dje na është arrestu një aktivist i lagjes, Basri Tërnave me arsyetimin e e kërcënu kryetarin dhe kryesuesin e Kuvendit Komunal. Ai i ka citu vetëm fjalët e kryetarit, Përparim Rama. Neve na është bë një e padrejtë, na është anulu një plan dhe mohu e drejta jonë për me u zhvillu. Koeficienti 2.4 nuk na përmbush këtë plan. Me planin e ri që e ke propozu, nuk e kemi pa”, tha ai ndër të tjera.
Banorët e lagjes Kalabria kanë protestuar sot para Komunës, teksa më pas përfaqësuesit e tyre janë lejuar të futen edhe në seancë. /Reporteri.net/