×
  • Lajme
  • Lajme / Projektligji për KPM-në

    Përpjekja e pushtetit për të kontrolluar mediat online alarmon organizatat ndërkombëtare

    Reporteri
    13 Shkurt 2024 | 19:48

    Qeveria e Kosovës e prirë nga Albin Kurti më 27 dhjetor të vitit të kaluar kishte miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i cili në janar të vitit 2024 ka proceduar në Kuvendin e Kosovës. Propozimi ligjor ndryshon krejtësisht mënyrën e rregullimit të mediave online që publikojnë video nga sistemi i vetërregullimit në rregullimin shtetëror. Me këtë projektligj, mediat online i nënshtrohen procedurës së licencimit shtetëror.

    Sipas projektligjit, mediat online do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror dhe kontrollit nga KPM-ja, mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit, mediat online, të cilat funksionojnë si organizata joqeveritare, do të detyrohen që të hapin kompani për t’i plotësuar kërkesat e licensimit, mediat online do të detyrohen të regjistrohen në Regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja, mediat online do të duhet të marrin leje në KPM në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10%, mediat online do t’i nënshtrohen regjimit të sanksioneve me gjoba deri në 40,000 euro, KPM-ja do t’i ketë 11 anëtarë dhe jo shtatë, siç i ka aktualisht dhe anëtarët e KPM-së nuk do të kenë më mandate të përshkallëzuara prej dy, tre dhe katër vjetësh, por mandat prej katër vjetësh me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

    Mirëpo, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në një reagim, ka deklaruar se ndryshimet ligjore, të cilat arsyetohen në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian, janë në kundërshtim me standardet e Këshillit të Europës (KiE) dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE).
    AGK-ja konsideron se iniciativa ligjore e Zyrës së Kryeministrit për të kontrolluar mediat online nëpërmjet licensimit është sulmi i radhës ndaj të drejtës së lirisë së medias dhe pluralizmit.
    “Aparati shtetëror do të përdoret lehtësisht kundër secilit medium online nën kërcënimin e gjobave të mëdha deri në 40,000 mijë euro, gjobë kjo që mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë. Projektligji duhet të shihet si vazhdimësi e qasjes armiqësore të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj mediave dhe gazetarëve dhe tentativës së saj të vazhdueshme për t’i disiplinuar ato”, thuhej në reagimin e AGK-së.

    AGK-ja ka sqaruar se direktiva e rishikuar e Shërbimeve të Medias Audiovizuale (AVMS) me të cilën pritet të përafrohet legjislacioni për media në Kosovë, parasheh rregullimin e platformave për shpërndarjen e videove nga rregullatorët e mediave.

    “Mirëpo, për qëllime të kësaj iniciative ligjore direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë fare parasysh kontekstin lokal dhe duke injoruar trupin vetërregullativ ekzistues në Kosovë. Direktiva në asnjë formë nuk parasheh që shteti t’i vë mediat online nën kontroll nëpërmjet procesit të licencimit të detyrueshëm”, thuhej në reagimin e përbashkët të AGK-së me Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe juristes për të drejtën e medias, Flutura Kusari.

    Qeveria, përtej mediave, sipas AGK-së, tentativën për kontroll e ka shtrirë edhe tek vetë institucioni i KPM- së.

    “Rritja e numrit të anëtarëve në 11 është e paarsyeshme dhe bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj. Kjo konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate, ashtu që ata që emërohen gjatë kësaj legjislature në Kuvend dhe vazhdojnë ta gëzojnë mbështetjen e partive në pushtet edhe në një tjetër legjislaturë, pra, mund të jenë pjesë e KPM-së për tetë vjet gjithsej”, ka vlerësuar AGK-ja.

    AGK-ja ka deklaruar se kishte nivel të lartë të mostransparencës gjatë iniciativës legjislative.

    “Draftligji është përgatitur me mungesë të thellë të transparencës dhe pa përfshirjen e gazetarëve, mediave, aktivistëve dhe organizatave tjera të shoqërisë civile. Vetëm pas përfundimit të draftit të parë, ai është prezantuar para një grupi të kufizuar si akt i kryer. Kjo qasje është tërësisht jodemokratike, e papranueshme dhe zhgënjyese. Nuk mund të draftohet legjislacion për media pa përfshirjen e mirëfilltë të sektorit të mediave”, thuhej në reagimin e AGK-së.
    Ndryshimet ligjore – të bëra në formën siç janë tani, sipas AGK-së, nuk do rezultojnë në përmirësimin e mediave, por në kontroll politik mbi mediat online, kontroll që do të ushtrohet nga cilado parti politike që do të gëzojë pushtet.

    Reagimi i OSBE-së

    Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka deklaruar të martën se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili synon rregullimin e mediave online, duhet ta shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.

    Për Radion Evropa e Lirë, OSBE ka deklaruar  se e “mirëpret” synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian, për të siguruar “një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”.

    Por, ajo e theksoi rëndësinë e nxitjes së një “mjedisi të favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.

    Gjatë ditës së martë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka deklaruar se ndryshimet në këtë legjislacion duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

    Edhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPME) ia ka bërë thirrje zyrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të rishqyrtojë projektligjin e propozuar për KPM-në/Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!