Kompania “Pastrimi” ka reaguar pas njoftimit të Komunës se faturat e pagesave duhet të bëhen pranë këtij institucioni, dhe se ata që i kanë bërë tek kompania mjafton dëshmia e pagesës të dorëzohet dhe do të llogariten si të paguara, shkruan Reporteri.net.
Bga “Pastrimi” thonë se këto veprime janë të njëanshme dhe pa bazë ligjore, pasi siç thonë në bazë të rregullores pagesa e faturave duhet të bëhet pranë kompanisë.
Përmes një reagimi, “Pastrimi” ka kërkuar që Prokuroria të ndërhyjë urgjentisht.
“Ky veprim është në kundërshtim të plotë me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat tona ligjore si ndërmarrje publike e licencuar për ofrimin dhe faturimin e shërbimeve të pastrimit në kryeqytet”, thuhet mes tjerash në reagimin e “Pastrimit”.
Reagim i KRM “Pastrimi” sh.a:
Kërkojmë ndërhyrjen e Prokurorit të Shtetit dhe organeve hetimore lidhur me veprimet e jashtëligjshme të Komunës së Prishtinës
KRM “Pastrimi” sh.a. shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Përparim Ramës dhe Bekim Brestovcit, të cilët, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë bazë ligjore, po njoftojnë qytetarët që pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen në Komunë dhe jo pranë ndërmarrjes sonë, ashtu siç përcaktohet qartë në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, e miratuar nga vetë Kuvendi Komunal.
Ky veprim është në kundërshtim të plotë me rregulloren në fuqi dhe me kompetencat tona ligjore si ndërmarrje publike e licencuar për ofrimin dhe faturimin e shërbimeve të pastrimit në kryeqytet.
Përkundër përpjekjeve tona për të mbrojtur rendin institucional dhe për të bashkëpunuar, Komuna po vazhdon me vendime të njëanshme që rrezikojnë jo vetëm funksionimin financiar të ndërmarrjes, por edhe cilësinë dhe vazhdimësinë e shërbimeve publike — dhe mbi të gjitha, po dëmtojnë drejtpërdrejt qytetarin.
Për këtë arsye, i drejtohemi Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve hetimore që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur këtë praktikë të paligjshme dhe për të rivendosur rendin ligjor dhe funksional në raportin ndërmjet Komunës dhe ndërmarrjes sonë. Ekzistojnë dyshime serioze se po tentohet të pamundësohet operimi i KRM “Pastrimi” sh.a., për t’i hapur rrugë tenderimeve të jashtëligjshme me operatorë privatë, me vlerë mbi 20 milionë euro.
KRM “Pastrimi” sh.a. do të vazhdojë të kryejë me përkushtim detyrën e saj për ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj qytetarëve dhe për mbrojtjen e ligjshmërisë në çdo rrethanë.
Ftojmë qytetarët të jenë krahu dhe mbështetja jonë në këtë situatë, sepse Komuna ka humbur kontrollin, duke devijuar nga çdo rrugë e përcaktuar ligjore.