×
  • Lajme
  • Lajme

    Përplasje e akuza në distancë mes LDK-së dhe zëvendësministrit të Arsimit për gurthemelin e “universitetit paralel” në Veri

    Reporteri
    22 Gusht 2021 | 17:13

    Nisja e ndërtimit të “universitetit paralel” në Mitrovicë të Veriu nga Qeveria e Serbisë, ka bërë që të përplasen ashpër partia opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës me zëvendësministrin e Arsimit, Dukagjin Popovci.


    Partia e Lumir Abdixhikut, drejtoi akuza të mëdha në drejtim të Qeverisë Kurti duke thënë se po de-legjitimon shtetin dhe nëpërkëmb shtetin e Kosovës, ndërsa i bën thirrje të ndalojë ndërtimin e universitetit në fjalë.

    “Praktikantët janë strukur e janë shndërruar në spektatorë. Prandaj, ndërmarrja e hapave është e largët këtu. Kryeministri Kurti duhet t’i zëvendësojë deklaratat boshe në Bruksel, me veprime konkrete në territorin e shtetit të tij. Ai duhet menjëherë, e pa vonesë, ta shkarkojë ministrin nga radhët e minoriteteve dhe me çdo kusht të parandalojë ngritjen e universitetit paralel në veri”.

    LDK tutje tha se Qeveria Kurti po i ringjallë e rigjallëron strukturat paralele dhe që dalëngadalë, por me hapa të sigurt, po i rikthen proceset prapa dhe po e ri-instalon Serbinë në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    LDK në komunikatën e saj reagoi edhe ndaj zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, i cili ndër të tjera tha se “Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut”.

    “Përpos këtij veprimi degradues, e që përforcon më tutje strukturat paralele në veriun e vendit, edhe më skandaloze është deklarata e zyrtarëve të Qeverisë, përkatësisht e zëvendësministrit të arsimit, Dukagjin Popovci, i cili mban qëndrim se ‘Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut’ dhe se rrjedhimisht ai universitet nuk është një strukturë paralele’. Zëvendësministri duket se harron se asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogarmeve të Republikës së Serbisë”, thuhet në reagim.

    Nuk vonoi shumë dhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, i reagoi LDK-së pasi kjo e fundit përmendi emrin e tij.

    Popovci thotë se paragrafi i LDK-së ku citohet statusi i tij në Facebook, përmban një të vërtetë dhe një të pavërtetë.

    “E vërteta është se ‘Universiteti i Mitrovicës së Veriut edhe me ligjet e Kosovës është ne administrimin e drejtpërdrejt të komunës së Mitrovicës së Veriut’. Këtë e pranon edhe vet LDK, duke ju referuar në reagim Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ndërsa unë po ja shtoj edhe Ligjin për Arsimin në Komuna, i cili në nenin 14 i jep Komunës së Mitrovicës së Veriut kompetenca speciale për menaxhimin e këtij Universiteti, përfshirë aprovimin e statutit të tij, që për të gjitha universitetet tjera e bën Kuvendi i Kosovës. Këto dy ligje janë aprovuar në majin e vitit 2008, me procedurë urgjente, dhe bëjnë pjesë në legjislacionin vital i cili nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e përfaqësuesve të komunitetit serb. Po besoj se të gjithëve ju kujtohet përbërja e koalicionit qeverisës dhe e shumicës parlamentare në atë mandate”, thotë Popovci.

    Ai tutje thotë se LDK dhe PDK në vitin 2015 legjitimitetin universitet serb në Veri.

    “E pavërteta konsiston në pohimin se “asnjë qeveri deri më tani nuk ka legjitimuar një universitet i cili, jo vetëm që kundërligjshëm mban emrin e universitetit publik të Prishtinës, por edhe vepron e funksionon tërësisht në bazë të ligjeve e planprogrameve të Republikës së Serbisë”. Ne fakt, legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi. Sipas të dhënave zyrtare, deri më 30 prill 2021 janë njohur 1,709 diploma të lëshuara nga ky Universitet. Nuk e di si mund të legjitimohet më mirë një universitet sesa duke ju njohur diploma. Problemi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut është kompleks dhe nuk zgjidhet duke akuzuar, pa asnjë bazë, qeverisjen që nuk ka fare gisht në legjitimimin e tij”, ka shkruar Popovci në Facebook, shkruan Reporteri.net.

    Reagojnë edhe PDK e AAK për nisjen e “universitetit paralel në veri”

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila ka thënë se kryeministri Kurti po e shkel çdo parim.

    Sa i përket çështjes se a duhet të shkarkohet ministri për Kthim dhe Komunitete Goran Rakiq për pjesëmarrjen e tij në përurimin e gurë themelit të Universitetit në Veri të Mitrovicës, Musliu tha se kryeministri Kurti do duhej të merrte masa ndaj çdo ministri të kabinetit të tij i cili merr pjesë në takime të tilla që bijën në kundërshtim me interesat e shtetit të Kosovës.

    “Tanimë, Albin Kurti ka shkelur çdo parim e premtim të tij. Nuk ka mbetur asgjë nga Albini i kaluar, është bërë një Albin krejt tjetër sepse sikur ai të respektonte parimet e tij, tashmë do ta shkarkonte ministrin në fjalë”, ka deklaruar Musliu për mediat.

    Kurse, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot në një konferencë të mbajtur për media ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, që Serbia po financon ndërtimin e universiteti paralel në Mitrovicën e Veriut.

    Ai ka thënë se kryeministri po tregohet i pazot që të përballet me shtetin serb.
    Sipas Haradinajt, Kurti po ia paguan borxhet Serbisë, kështu duke përmendur taksën e reciprocitetin.

    “Nuk është vetëm kjo situatë, janë mjaft situata kur Kurti po tregohet i pazoti me u përball me Serbinë, ose po i paguan borxhe Serbisë që ia ka Kurti. Për shembull nuk po flasim më për taksën që është heq, e reciprocitetin që nuk është vendos, por është çështja e rritjes së importit nga Serbia, kjo flet shumë, pastaj si mbërrimë deri te bllokat, si mbërrini qeveria jonë me e gjet që bllokat e Serbisë e paskan njëfarë mase të caktuar që po i kthejka ata në pozitë të barabartë me bllokat tonë”, tha ai.

    Ndryshe, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq që vendosi gurthemelin e ndërtimit të universiteti paralel në Mitrovicën e Veriut, i shoqëruar nga kreu i Listës Serbe dhe ministri për Komunitete dhe Kthim Goran Rakiq, tha se do të kushtojë mbi 6 milionë euro, dhe se do të jetë investim i shtetit të Serbisë.

    Petkoviq tha se këtë universitet e kanë pritur për 22 vjet dhe tash po ndërtohet falë përkrahjes së presidentit Aleksander Vuçiq.

    Ai tha se ndërtesa e re do të jetë 10 mijë e 575 metra katror që përfshinë fakultetin e Shkenca Natyrore dhe Matematikës, Fakultetin Juridit, Ekonomik dhe rektoratin, dhe se do të ketë katër kate. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!