×
  • Lajme
  • Lajme

    Përshkallëzimi i situatës, kosovarëve u bëhet thirrje që të mos udhëtojnë drejt Irakut apo Iranit

    Reporteri
    04 Janar 2020 | 16:47

    Pas ngjarjeve të fundit dhe tensioneve në rritje, shtetasve kosovarë u është bërë thirrje që të mos udhëtojnë drejt Irakut apo Iranit. E kjo pas vrasjes së gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga forcat amerikane, aksion ky që u përkrah edhe nga krerët e shtetit të Kosovës, të cilët thanë se Kosova do të qëndroj e palëkundur përkrah Amerikës, shkruan Reporteri.net.


    Ministri i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës që në vazhdën e këtyre ngjarjeve të mos udhëtojnë drejt Irakut apo Iranit., me përjashtim të regjionit të Kurdistanit. Pacolli ka thënë se do të vazhdojnë ta mbajnë këtë paralajmërim deri në qetësimin e situatës.

    “Pas tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme, ne këshillojmë njerëzit që mos të udhëtojnë drejt Iranit ose Irakut, me përjashtim të regjionit të Kurdistanit. Ne do ta mbajmë këtë alarm derisa situata të qetësohet në regjion. Misioni ynë është që qytetarët e Kosovës të jenë të sigurtë”, ka shkruajtur ai.

    E përmes një postimi tjetër, Pacolli ka kërkuar që të gjithë shtetasit e Kosovës që punojnë në Irak, në rast se kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë ambasadën e Kosovës në regjionet e Turqisë, Arabisë Saudite, Turqisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara.

    “Ne u bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Irak që nëse u duhet ndihmë, të kontaktojnë ambasadën e Kosovës në regjionet e Turqisë, Arabisë Saudite, Turqisë, Katarit dhe Emirateve të Bashkuara. Atyre do u ofrohet ndihmë. Kosova nuk ka marrëdhënie diplomatike me Irakun dhe atje nuk mund të ofrohet ndihmë”, ka shkruar ai.

    Kujtojmë se vrasja e komandantit të forcave iraniane Quds, Qassem Soleiman, në një operacion të Ushtrisë amerikane, ngjalli shumë reagime. Gjermania tha se sulmi, pasoi provokimet e vazhdueshme të Iranit. Rusia paralajmëroi tensionim të situatës në rajon, ndërsa Franca kërkon veprime të matura duke shtuar se kjo vrasje e bëri botën një vend më të rrezikshëm për të jetuar. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!