Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, ku mbetën të vrarë 24 persona në vatrën e rezistencës, në Drenicë.
Osmani tha se më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror.
“Aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderojmë me respekt të thellë ata që ranë për liri.
Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme.
Kujtimi për martirët mbetet i gjallë, ndërsa amaneti i tyre na obligon të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Sot janë bërë 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm./Redporteri.net/