×
  • Lajme
  • Lajme / Përpjekjet për zgjidhje

    Pesë takime të dështuara për dinarin në Bruksel, së shpejti i gjashti

    Reporteri
    28 Prill 2024 | 9:58

    Çështja e dinarit ka sjell plot pesë takime në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

    Takimet deri tani kanë rezultuar pa një marrëveshje të palëve, derisa nga emisari evropian, Miroslav Lajçak është thënë se kanë përafërim të propozimeve me palët.

    Takimi i pestë ndërmjet palëve e që zgjati më shumë se shtatë orë përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, teksa u paralajmërua edhe një takim tjetër në javën e dytë të majit, i gjashti me radhë.

    Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas rundit të ri të dialogut, se Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.

    “Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizmin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha Bislimi.

    Dështon pa marrëveshje takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia kërkon financimin e strukturave ilegale deri në krijimin e Asociacionit

    Për dallim nga takimet e mëparshme, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, të enjten nuk mbajti fillimisht takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin, duke u futur drejtpërdrejt në takim trepalësh.

    Siç kanë paralajmëruar të dy kryenegociatorët, Kosova dhe Serbia do të paraqesin komentet e tyre për propozimin e ri në ditët në vijim, ndërsa takimi i radhës për të njëjtën çështje do të mbahet në mes të majit.

    Sipas kryeministrit Albin Kurti, Serbia ka vetëm hallin se dinari është ndaluar si mjet pagese, derisa ka thënë se qeveria mbështet plotësisht rregulloren e BQK-së.

    “Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës është një rregullore e një institucioni të pavarur. Serbia nuk e ka hall që po ndalohet dinari, sepse dinari nuk po ndalohet por po ndalohet dinari si mjet pagese dhe kjo është kërkesë e nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: Ajo ka hall që po ndalohet cash-i, paraja e gatshme. Dhe ne, për të pasur transparencë se kush kujt i dërgoi para me çfarë qëllimi, e mbështesim plotësisht këtë rregullore të BQK-së që është institucion i pavarur i Republikës së Kosovës”, tha ai.

    Kurti shpjegoi edhe për modalitetet se si ajo të zbatohet dhe të funksionalizohet. Ai tha se në Bruksel po dialogohet për këtë çështje dhe janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje.

    “Janë duke dialoguar në Bruksel rreth kësaj dhe unë mendoj që janë në rrugë të mbarë për të gjetur një zgjidhje e cila e mundëson tranzicionin e lëmuar drejt kësaj rregulloreje, e cila jo vetëm që është e drejtë e Bankës Qendrore të Kosovës, por është rregullore e drejtë për të mirën e qytetarëve”, tha Kurti në një intervistë për DW.

    Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.

    Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.

    Por, Qeveria e Kosovës ka ngulur këmbë se fjala është për një vendim të pavarur të BQK-së e jo për vendim politik. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!