I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, ka folur për një “letër të mirëdetajuar garancish” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian se “nuk ka lista” arrestimesh dhe përndjekjesh penale për serbët protestues/barrikadues në pjesën veriore të vendit, raporton gazeta online Reporteri.net.
Përveç këtyre “garancive” për mosarrestime dhe mosndjekje penale, Petkoviç pretendon se kanë marrë garanci edhe nga forca paqeruajtëse e NATO’s në Kosovë, përkatësisht KFOR’i, se Forca e Sigurisë në Kosovë “nuk mund të shkojë” në veri.
“Garancitë e ShBA’së dhe BE’së i referohen faktit që nuk ka lista arrestimesh të serbëve në Kosovë për pjesëmarrje në protesta paqësore dhe barriakda. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme dhe [Aleksandar] Vuçiç luftoi shumë që ajo letër të definohet qartë”, ka thënë Petkoviç.
“Serbët haptazi thanë se nuk i besojnë garancive të ShBA’së dhe BE’së, por ne, në anën tjetër, kemi dhënë garanci që do të qëndrojmë prapa popullin tonë. S’mund t’i besojmë [Albin] Kurtit, kështu që është më mirë të kemi një letër të tillë të cilës mund t’i qëndrojmë. Garancitë gjithashtu i referohen faktit që FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa aprovimin e komandantit të KFOR’it dhe përfaqësuesve të serbëve në Kosovë”, vazhdoi ai.
Petkoviç tha se Kosova “nuk do ta ketë të lehtë” të shkel këto “garanci” të ShBA’së dhe BE’së derisa shtoi se këto janë arritje e Serbisë në skenën ndërkombëtare, shkruan Reporteri.net.
“Këto marrëveshje dhe garanci përfshihen në korpusin e të gjitha marrëveshjeve të cilave u qëndrojnë. Kem i arritur diçka që është pjesë integrale e betejës tonë në nivelin ndërkombëtar. Kemi marrë edhe garanci që Prishtina nuk do ta ketë të lehtë t’i shkel ato aq lehtë, pa reagimin e ShBA’së dhe BE’së, sepse kjo është garancia dhe fjala e tyre”, ka thënë Petkoviç.
Ndërkaq ai tha se barrikadat do të hiqen brenda 48 orësh./Reporteri.net/
E bllokuan veriun për tri javë, serbët paralajmërojnë sot heqjen e barrikadave