×
  • Lajme
  • Lajme

    Petkoviq i reagon Sveçlës: Po i frikësohesh një pamfleti me imazhin e Vuçiqit, mund të mburresh vetëm në rrjete sociale

    Reporteri
    30 Qershor 2024 | 17:28

    “I frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandër Vuçiqit që dikush e ka ngjitur. E vetmja gjë që mund të bëjë është të mburret në rrjetet sociale!”. Ky është reagimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ndaj postimit të ministrit të Punëve Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla lidhur me pamfletet që u vendosën në veri të Kosovës.

    Disa fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me mbishkrimin “komandant suprem, po të presim!” u vendosën në katër komunat veriore të Kosovës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas vendosjes së disa posterëve në veri me imazhin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një reagim të bërë në Facebook, Sveçla thotë se nëse Vuçiqi është nisur pa kërkesë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, atëherë ai do të arrestohet.

    “I paskan ngjitur tinëz gjatë natës disa postera në veri të Kosovës. Aty thonë që po e presin presidentin e Serbisë të vijë duke e quajtur atë ‘komandant’. Nëse është nisur pa kërkesë te Ministria jonë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, edhe ne po e presim të vijë dhe mandej mund ta vizitoni në burg, ku ai i ka tashmë disa miq të tij”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

    Sot në mëngjes, në disa lokacione janë parë posterë me imazhin e presidentit serb ku thuhej “Komandant Suprem po të presim”.

    Lidhur me këtë, zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se rasti është hapur në Prokurori për “nxitje të urrejtjes”.

    “Në disa lokacione të 4 komunat e Veriut të vendit janë shpërndarë pamflete me foton e Kryetarit të Serbisë. Pas konsultimit me Prokurorin e shtetit është hap rasti Nxitje e Urrejtjes. Nuk kemi të dyshimtë, ndërsa policia po punon në drejtim të ndriçimit të rastit”, tha Elshani për Reporteri.net.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!