×
  • Lajme
  • Lajme

    Petkoviq tha se bënë hapat e parë, Bislimi s’e përmend hiç Asociacionin

    Reporteri
    04 Prill 2023 | 21:22
    Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi

    Gjatë ditës së sotme, shefi i ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në takimin në Bruksel të zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve, në të cilin u diskutua zbatimi i marrëveshjes së dakorduar në Ohër.

    Si fillim, pas takimit, Bislimi njoftoi se data 22 prill do të shënojë takimin e radhës në nivelin e lartë politik mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.

    Mirëpo, i njëjti tha se ka indikacione që presidenti i Serbisë nuk është i gatshëm, ndaj data edhe mund të shtyhet.

    “Ideja është që në këtë datë të prezantohet një draft fillestar i grupit të menaxhmentit, ngase ka pak paqartësi në çështjen procedurale, se kujt duhet drejtuar drafti paraprakisht dhe si duhet të prezantohet”, tha Bislimi, përcjell Reporteri.net.

    Takimi i radhës Kurti-Vuçiq parashihet të mbahet më 22 prill në Bruksel

    Përveç kësaj, Bislimi tha se në takim u diskutua edhe për temat aktuale si ajo e energjisë, çështja e targave dhe si po ecën implementimi i marrëveshjes për targat.

    Për këtë të fundit, Bislimi ka raportuar se, gjatë marsit, ka pasur zhvillime të mira mirëpo pastaj kanë filluar djegiet e veturave dhe më pas s’ka pasur as vetura të regjistruara.

    Bislimi tha se pala serbe ka kërkuar që Kosova të tregojë vullnet të mirë dhe të mos vendosë masa ndaj tyre, por, sipas tij, kjo punë ka kaluar dhe çështja nuk mund të diskutohet.

    Paqartësia me targat në veri të Kosovës

    Kryenegociatori Bislimi njoftoi se është biseduar edhe për hapat të tjerë në sekuencimin e marrëveshjeve bazike, siç është marrëveshja për të pagjeturit, e njohjes reciproke të diplomave, mospengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare nga ana e Serbisë.

    Sidoqoftë, pavarësisht se Petar Petkoviq, nga pala serbe, deklaroi se në takim u diskutua edhe për hapat e parë në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, një gjë të tillë Bislimi nuk e konfirmoi.

    Kujtojmë se gjatë vizitës së tij në Bruksel, Bislimi po ashtu zhvilloi takim edhe me emisarin e posaçëm e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!