Petrit Hajdari ka njoftuar për shkarkimin e tij nga pozita e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Këtë vendim të MPJ-së, Hajdari po e quan të padrejtë, duke e konsideruar si përpjekje e sipër e Qeverisë për kapje, dhe shkelje flagrante të ligjit, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Dje kam marrë vendimin e shkarkimit nga puna si Zyrtar i Lartë për Marrëdhënie Shumëpalëshe në Departamentn për Evropë, BE dhe Rajon të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Megjithatë, fati im nuk është më i rëndësishëm sesa fati i vendit. Po të besoja që kjo ishte në të mirë të vendit, unë s’do ta prisja shkarkimin fare sepse do të tërhiqesha, por bash secili detaj në karrierën time prej zyrtari e diplomati të karrierës, e tregon saktësisht të kundërtën”, njoftoi ai në Facebook.
Hajdari tregon se si krejt kjo ka nisur në mars të vitit të kaluar, kur emri i tij qarkulloi në media si “i listuar për shkarkim”. Ai thotë se qysh nga ajo kohë, vazhdimisht është përballur me kërcënim e shantazh, si një përpjekje për ta mbajtur nën kontroll.
Këtë qasje të pushtetit, Hajdari e asocion me represionin e viteve të 90-ta.
“Duke qenë diplomat i karrierës dhe jo i emëruar politikisht, kjo është një goditje befasuese. Ose, më saktësisht, do të ishte befasuese kudo tjetër përpos në Qeverinë e Donika Gërvallës Schëarz e Albin Kurtit. Këto shkarkime, të paraprira nga fushata të egra njollosjeje, janë metoda të përdorura nga një pushtet, fatkeqësisht mjaft i freskët në mendjen e shqiptarëve: ai i represionit të viteve 90”.
I njëjti theksoi se do t’i ndjekë rrugët penale për ta kundërshtuar vendimin.
“Duke u bartur nga ZKM në MPJD, unë kam qenë në shërbim të vendit, i punësuar në mënyrë krejtësisht të rregullt prandaj shkarkimi im është shkelje flagrante e ligjit. Këtë do ta vërtetoj, edhe nëse është gjëja e fundit që e bëj, duke ndjekur deri në fund rrugët ligjore”, deklaroi ai. /Reporteri.net/.
Postimi i plotë: