×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Pezullimi i vendimit të ZRrE-së për një biznes, Bajrami: Hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive në sektorin e energjisë

    Reporteri
    24 Qershor 2025 | 15:11

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Komerciale për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për daljen të bizneseve në treg të hapur të energjisë, duke thënë se ky është hapi i parë drejt ndalimit të padrejtësive, shkruan Reporteri.net.

    Bajrami ka përmendur rastin e një biznesi që ka paditur ZRrE-në, gjë për të cilën ai thotë që ani pse është rast individual, vendimi në fjalë krijon precedent të rëndësishem duke vënë në pikëpyetje gjithë procesin e imponuar nga ZRrE-ja.

    “Përshendes vendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, e cila më 18 qershor 2025 paska miratuar kërkesën e një biznesi për pezullimin e përjashtimit nga shërbimi universal. Edhe pse bëhet fjalë për një rast individual, ky vendim krijon precedent të rëndësishëm duke e vënë në pikëpyetje gjithë procesin e imponuar nga ZRrE për kalimin në tregun e ashtuquajtur të hapur, i cili vetëm si i tillë nuk ekziston.

    Në anën tjetër shprehim keqardhje që ZRrE në vend se të reflektojë, paska zgjedhur të dalë publikisht me një deklaratë arrogante, duke e paraqitur vendimin si të parëndësishëm dhe duke u munduar të minimizoj ndikimin e tij. Kjo tregon për mungesë përgjegjësie dhe mosrespektim të vendimeve të organeve të drejtësisë dhe për vazhdimin e një politike të komplet të gabuar, të papërgjegjshme dhe jo-transparente. Por, ZRrE duhet ta dij ndikimin e këtij vendimi sepse nëse një biznes ka fituar të drejtën për pezullim të përkohshëm për shkak të mungesës së kushteve të barabarta dhe planifikimit, atëherë të gjitha bizneset e tjera të përjashtuara nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike janë në të njëjtën situatë dhe kanë të njëjtat të drejta. Vendimi nuk është thjesht “teknik” apo “individual” – është tregues i qartë i një procesi të dështuar dhe të papërgatitur nga ZRrE e mbështetur nga Qeveria”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

    Deputetja e LDK-së madje ka theksuar edhe disa pika se çka pret nga Gjykata Komerciale lidhur edhe me rastet tjera.

    “• Gjykata Komerciale të shqyrtojë me prioritet paditë e tjera të deponuara nga shoqatat dhe biznese, tanimë janë dhjetra padi të tilla ku qindra biznese të përjashtuara nga furnizimi universal u janë drejtu gjykatave duke kërkuar një periudhë tranzicioni dhe mbështetje nga ana e qeverisë.

    • Gjykata Komerciale gjithashtu të trajtojë me urgjencë edhe vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, vendim që rëndon drejtpërdrejt mbi ekonomitë familjare dhe bizneset e vogla.

    • Organet e drejtësisë, përfshirë Prokurorinë Speciale, të nisin hetime të hollësishme për të ashtuquajturën “mafi energjetike”, për mënyrën si është menaxhuar importi dhe eksporti i energjisë, ndarja e tenderëve në KEK dhe ndikimi i grupeve të interesit në politikat energjetike.

    Nuk mund të kemi liberalizim tregu pa u siguru fillmimisht që kemi konkurrencë reale, pa transparencë dhe pa mbrojtje të konsumatorit dhe bizneseve. Nuk mund të kemi institucione rregullator dhe organe vendimmarrëse që e përdorin “tregun e lirë” si justifikim për të rritur çmimet dhe për ju shërbyer interesave të tregtarëve të energjisë”, ka shkruar Bajrami.

    /Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!