×
  • Lajme
  • Lajme

    Picula: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të bazohet në njohje të ndërsjellë

    Reporteri
    20 Dhjetor 2022 | 11:41
    Eurodeputeti kroat, Tonino Picula

    Mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojnë me një marrëveshje gjithpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme e cila bazohet në njohje të ndërsjellë, ka shkruar në një artikull autorial në “The Parliament Magazine”, Tonino Picula, kryetar i grupit punues për Ballkanin Perëndimor dhe anëtar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Kosovën dhe Bosnjen, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Në dritën e mosmarrëveshjes së vazhdueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht kohët e fundit kur grindja është bërë edhe më e mprehtë, ndërhyrja diplomatike nga Bashkimi Evropian padyshim është e nevojshme dhe e justifikuar. Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet këtyre vendeve është një çështje urgjente dhe e nevojshme për të garantuar stabilitetin në fqinjësinë e afërt të BE-së”.

    Me të nisur shkrimin eurodeputeti thotë se BE duhet ta kuptojë që vende si Serbia kanë probleme të cilat burojnë nga “interfercat keqdashëse të huaja dhe fushata të keqinformimit” duke aluduar në Federatën Ruse.

    “Ndërhyrja e palëve të treta në proceset politike dhe demokratike, përveç dezinformimit dhe fushatave përçarëse, ka minuar demokracinë, ka manipuluar opinionin publik dhe ka krijuar përçarje brenda vendeve anëtare”, shkruan Picula.

    “Siç thuhet në rekomandimin për strategjinë e re të BE-së për zgjerimin, është e domosdoshme që të shtojmë angazhimin konstruktiv të BE-së me autoritetet e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje normalizimi gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të bazuar në njohjen reciproke ndërmjet të dyjave në kornizën e Dialogut Beograd-Prishtinë”.

    https://twitter.com/Parlimag/status/1605137312878395395?s=20&t=zS1EBbJImVZmlrdPenYz5w

    Një gjë e tillë është kyçe për rrugët e tyre evropiane, shprehet Picula, derisa thotë se dialogu i BE’së ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë i shpejtë, transparent dhe i  zhvilluar në mirëbesim.

    Eurodeputeti vlerëson se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në të gjitha blloqet për liberalizimin e vizave, duke përfshirë sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufijve dhe migracionit, rendin dhe sigurinë publike, dhe të drejtat themelore në lidhje me lirinë e lëvizjes.

    “Prandaj, duhet të shtojmë përpjekjet drejt marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përveç bashkëpunimit gjithëpërfshirës dhe efektiv socio-ekonomik në nivel rajonal dhe solidaritetit në vendet e anëtarësimit në BE. Ne duhet të përmirësojmë bashkëpunimin rajonal ndërkufitar midis Shteteve Anëtare dhe vendeve partnere përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së”.

    “Është jetike për të rritur konkurrencën ekonomike dhe kohezionin social në Ballkanin Perëndimor përmes reformave strukturore dhe duke vendosur bashkëpunim ekonomik rajonal që është i pranueshëm për të gjashtë vendet, duke ndjekur përafrimin e mëtejshëm me standardet dhe acquis të BE-së që do të kontribuonte përfundimisht në procesin e integrimit në BE”, përfundon Tonino Picula.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!