×
  • Lajme
  • Lajme / FOTO

    Disa pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese që kryen aksionin në Banjskë bojkotojnë “Darkën e Lamës” të thirrur nga Presidentja Osmani

    Reporteri
    18 Tetor 2023 | 21:24

    Me organizim të komandantes supreme, Presidentes Vjosa Osmani, sot në qendrën e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës “Enver Zymberi” në Mitrovicë, është organizuar “Darka e Falënderimeve”, që në popull njihet si “Darka e Lamës”. Ndonëse e ideuar si falënderim për policët e Kosovës, një pjesë e pjesëtarëve të Njësisë Speciale Intervenuese, NJSI, e kanë bojkotuar darkën.

    Burime të gazetës online Reporteri.net bëjnë me dije se, në këtë organizim, morën pjesë vetëm pjesëtarët e njësisë NJSO të Policisë së Kosovës, dhe jo krejt ata të NJSI, të cilët, mes tjerash, ishin përgjegjës për kundërsulmin në Banjskë, më 24 shtator, ku zmbrapsën terroristët serbë që synuan aneksimin e Veriut.

    Sipas burimeve të gazetës online Reporteri.net, bojkotimi ndodhi si pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të tyre nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfshirë shtesën e rrezikshmërisë, që policët s’e kanë marrë ende. Gazeta online Reporteri.net ka siguruar edhe fotografi nga “Darka e Lamës” sot, ku shihen prezentë vetëm njësia NJSO.

    “Darka e Lamës”, reagon Presidenca: Osmani ka darkuar me gjysmën e policëve elitë, pjesa tjetër kanë qenë në ndërrim

    Ndërkohë, edhe vetë Presidentja Osmani ka njoftuar për këtë darkë, mirëpo nuk e ka përmendur bojkotin. Në fotografitë e publikuara, shefja e shtetit nuk shihet me anëtarë të njësisë NJSI, por vetëm të njësive të tjera.

    Në ditët në vijim, siç merr vesh Reporteri.net, pritet që të organizohen edhe protesta, ndërsa bojkotimi i sotëm ishte vetëm një sinjal i veprimeve që pritet të vijnë nga policët.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!