×
  • Lajme
  • Lajme

    Pjetër Shala apelon urdhrin për zhdëmtim të viktimave që e obligonte të paguajë 208 mijë euro

    Reporteri
    27 Mars 2025 | 16:03

    Pjetër Shala, përfaqësuar nga mbrojtja e tij, ka dorëzuar dosjen e apelit kundër urdhrit për zhdëmtim, i cili e obligoi atë që të paguajë 208 mijë euro për viktimat.

    Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Angela Griep, e cila njoftoi se mbrojtësit të viktimave iu është zgjatur afati deri më 4 prill që të dorëzojë përgjigjen e tij në dosjen e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndonëse ky është urdhri i parë për zhdëmtim që iu nënshtrohet procedurave të apelimit në DhSK, Griep tha se mund të jetë një precedent i rëndësishëm.

    Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Griep tregoi se më 26 mars u hodh poshtë një kërkese e ekipeve mbrojtëse për apelimin e një vendimi i cili obligonte palët të dorëzojnë dosjet përfundimtare të tyre në të njëjtën kohë dhe jo njëra pas tjetrës.

    “Trupi gjykues konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave përcakton se dosjet gjyqësore përfundimtare duhet të dorëzohen në të njëjtën kohë dhe ishte i mendimit se aspektet ballafaquese të procesit nuk kërkojnë që ato të dorëzohen njëra pas tjetrës. Trupi gjykues vuri në dukje se qëllimi kryesor i dosjeve gjyqësore përfundimtare është që secila palë të paraqes argumentet e veta bazuar në provat në dokumentacionin e procesit gjyqësor dhe theksoi se secila palë do të ketë mundësinë të paraqesë argumentet e veta dhe t’iu përgjigjet argumenteve të palës kundërshtare gjatë parashtrimeve gojore përfundimtare”, tha Griep.

    Për të njëjtën çështje gjyqësore, Griep njoftoi se më 19 mars u miratua një kërkesë e Prokurorisë që një dëshmitar të jepte dëshmi përmes video-lidhjes. Ajo tregoi se gjatë kësaj jave ka dhënë dëshmi Naim Maloku, si dhe një dëshmitar tjetër në seancë të mbyllur për publikun.

    Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 1 prill sipas orarit të zakonshëm.

    Në çështjen gjyqësore ndaj Thaçit kundër administrimit të drejtësisë dhe në atë të Haxhi Shalës, Ismet Bahtijarit dhe Sabit Janzuzit, zëdhënësja e DhSK-së njoftoi se janë bërë publike disa vendime në lidhje me masat hetimore, bastisjet dhe sekuestrimet e Prokurorisë.

    Veç kësaj, Griep foli edhe për vizitën e Thaçit në Kosovë, ku tha se ai më 21 dhe 22 mars ka qëndruar në Kosovë ku ka vizituar varrin e babait si dhe ka takuar familjarët e ngushtë. Sipas saj, kjo është vizita e 14-të që DhSK-ja e lejon të ndodhë për çështje humanitare bindëse.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!