×
  • Lajme
  • Lajme

    Plani i BE-së: Paqartësi dhe kritika të shumta në Kosovë

    Reporteri
    03 Mars 2023 | 13:23

    Të hënën për herë të parë është bërë publik edhe zyrtarisht plani i BE-së për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

    Kjo, pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel, ku ndonëse nuk u nënshkrua asgjë, palët u pajtuan për tekstin e marrëveshjes.

    Bashkimi Evropian tha se udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, gjë që do të kërkojë më shumë bisedime.

    Për takimin në Burksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u rrëfye gjatë ditës së djeshme para deputetëve të Kuvendit, në një seancë që zgjati deri në orët e vona të natës.

    Por në anën tjetër, opozita po konsideron se kjo marrëveshje është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të, siç u tha, neutralitetit ndaj statusit të Kosovës si dhe dështimit për një marrëveshje reciproke, e në anën tjetër pranimit të Asociacionit.

    Kreu i Qeverisë, Albin Kurti tha se në takimin e së hënës, të ftuar nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, takimi u ftua me dy pika të agjendës, atë për formalizimin e pranimit të marrëveshjes bazë të propozuar nga BE, dhe e dyta, fillimin e diskutimeve për planin e zbatimit të kësaj marrëveshje.

    Kryeministri Kurti tha se shpeshherë ka keqkuptime për këto dy dokumente, pasi siç tha ai Bashkimi Evropian zyrtarisht e ka prezantuar vetëm njërin dokument.

    “Marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe plani i zbatimit do duhet të negociohet dhe ato s’kanë filluar ende. Isha pjesëmarrës në dy lloj takime, bilateral dhe trilateral, ku prezent ishte presidenti serb, Aleksandër Vuçiq”, tha Kurti.

    Kurti tha se i ka ofruar BE-së nënshkrimin zyrtar si Kryeministër i Republikës së Kosovës të marrëveshjes bazike të cilën do duhej ta nënshkruante edhe Josep Borrell si dhe Aleksandër Vuçiq, por që ky i fundit  e refuzoi.

    “Refuzimi ishte i mënyrës kategorike gjë që e bëri publike dhe ai”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Ata që thonë që kjo marrëveshje nuk ka njohje de facto, atëherë pse e refuzoi këtë marrëveshje Presidenti i Serbisë. Marrëveshja bazë përbën hap të rëndësishëm në rregullimin e marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve. Marrëveshja mundëson projekt paqe, e cila e sekuencon ne kohe arritjen e një marrëveshje finale. Marrëveshja i hap rrugë Republikës sonë për anëtarësim në shumë organizata ndërkombëtare”.

    Ndër pikat që ka nxitur më së shumti reagime është ajo nga neni shtatë, i cili kërkon që të dyja palët të angazhohen që të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

    Paragrafi i dytë i këtij neni thotë se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe.

    Opozita paraqiti shqetësime të mëdha rreth këtij neni.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se neni 7 i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë është shumë problematik.

    Krasniqi ka thënë se ky nen është shumë më problematik sesa ai që flet për Asociacionin.

    “Neni 7 është jashtëzakonisht problematik. Shumë më problematik se neni 10 që flet për Asociacionin. Është e vërtetë Asociacioni është obligim i shoqëruar dhe si i tillë do të kishte kuptim në kuadër të një marrëveshje finale që e sjell njohjen e ndërsjellë. Nuk po e akuzojmë që e ka sjellë kryeministri. Nuk ka lidhje pse i ndërron fjalët. I ka ndërru fjalët për 100 sende, ky edhe për këtë që e ka ndërru fjalët nuk është fundi i botës. Por, neni 7 nuk flet për kompetenca të qeverisjes lokale sepse këto i kanë komunitetet e Kosovës, bazuar në pakon e Ahtisarit. Nuk flet as për kornizën vetëqeverisjes lokale sepse në draftin e kaluar ka qenë i theksuar kjo konventë kornizë”, u shpreh Krasniqi.

    E në anën tjetër, për kryeministrin Kurti  i vetmi nen ku ka një problem në këtë marrëveshje është ai që lidhet me obligimet e trashëguara e për të cilat ka një konsensus ndërkombëtar që ato duhen zbatuar.

    “Është neni 10 i marrëveshjes, fjalia e fundit. Përmban normën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit duhen zbatuar. Këtë duhet ta kuptoni si një detyrim ndaj tërësisë dhe paqartësisë që e shoqëron në tërësi e jo si diçka të veçantë ndaj një elementi të një marrëveshje, natyrisht e kam fjalën për marrëveshjen Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013 e të ratifikuar në këtë Kuvend e të zgjeruar me marrëveshjen Mustafa-Vuçiq më 25 gusht 2015 mbi Asociacionin. Pra, marrëveshja bazë nuk i veçon elementet, por i vendos ato në një normë të tipit kategori”, u shpreh mes tjerash kryeministri.

    I pari i Qeverisë ka sqaruar po ashtu edhe pikën e shtatë të propozimit evropian, apo Neni 7 në Marrëveshjen Bazike, ku flitet për “sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

    Kurti tha se në nenin 7 të propozimit flitet për komunitetin serb dhe jo për komunat me shumicë serbe.

    “Ne nenin 7 flitet për komunitetin serb. Pra komuniteti serb nuk janë komunat me shumicë serbe. Janë dy gjera të ndryshme. Komuniteti serb ekziston edhe në planin e Ahtisarit edhe në Kushtetutë. Marrëveshja parasheh që të drejtat e komunitetit serb duhet hartuar në përputhje me të drejtat e Këshillit të Evropës”, deklaroi Kurti në seancën plenare.

    Gjithashtu kreu i Qeverisë së Kosovës theksoi se një vetmenaxhim i tillë parashihet edhe në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

    E në anën tjetër, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se kjo marrëveshje është lëshimi më i madh i bërë ndonjëherë në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të, siç tha, neutralitetit ndaj statusit të Kosovës.

    Abdixhiku ka thënë se pikat shqetësuese nga marrëveshja që Kurti është dakorduar janë ato nga neni 7 e 10.

    Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk mund të akuzohet për marrëveshjet paraprake në të cilat përfshihet edhe Asociacioni, por sipas tij, Kurti ka sjellur diçka më të keqe se këto, siç përmendi ai nenin 7 të propozimit të BE-së.

    “Askush nuk mund ta akuzojë atë për një marrëveshje paraprake, por ajo çfarë po sjellë ky kryeministër është zbatimi i Asociacionit përkundër kundërshtimit disa vjeçarë që e ka bërë. Punë për të si e zbaton para bazës së vet. Por ajo nuk dihet se çfarë ka pranuar janë definuar në nenin 7 ku kryministri ka hapur një dritare të re”, ka thënë ai.

    Ai po ashtu u shpreh se Kosova e ka humbur momentumin për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

    “Këto vërejtje që dhamë ne, tejkalimi i trashëgimisë së të kaluarës dhe palët nuk paragjykojnë çështjen e statusit përbën një rast të paprecedent të pranuar nga një kryeministër i Kosovës”.

    “Mbi 10 herë Serbia e ka njohur de facto Kosovën, por kemi humbur një momentum për njohjen në qendër”.

    Sqarim kërkoi edhe për aneksin e marrëveshjes së dakorduar e cila tha se do të jetë bazë e negocimit të afërm, të ardhshëm me Serbinë. Për këto, ai tha se nuk morën as qartësi e as përgjigje të sakta për pozicionin e Kosovës përpara”, u shpreh Abdixhiku.

    Edhe vetë presidentja e vendit, Vjosa Osmani i ka konsideruar si jo të lehta disa nga propozimet e planit që lidhen pikërisht me vetëmenaxhimin e pakicës serbe në Kosovë dhe rregullimin e statusit juridik të Kishës Ortodokse Serbe.

    Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se ika ku flitet për vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin, i cili duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe të mos jetë shtresë e tretë e pushtetit.

    “Pra, sërish mendoj se kjo çështja e nivelit të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë është referencë për Asociacionin, dhe, sërish, tashmë e kam shprehur në këtë intervistë, dhe, shumë herë, i kam shprehur pikëpamjet e Shteteve të Bashkuara se kjo është pjesë e saj, se përparimi në çështjen e Asociacionit është pjesë e rëndësishme e zbatimit të kësaj marrëveshjeje dhe çka është më me rëndësi, deri në një masë edhe për Kosovën që e përmbush atë vizionin e përbashkët që e kemi si një shtet shumetnik, sovran e demokratik”, ka thënë Hovenier.

    Ishte ish-kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ai që u mor specifikisht me këtë pikë, duke kërkuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani që të tregojë nëse është konform aktit më të lartë juridik të shtetit.

    “Marrëveshja bazë e pranuar nga Kryeministri Kurti në pikën 7 parasheh një formë të vet-menaxhimit për serbet në Kosovë, sipas përvojave evropiane.

    Le të tregojë Presidentja Osmani, që vet-shitet si juriste e fortë se a është kjo në harmoni me Kushtetutën; a parasheh Kushtetuta e Kosovës të drejta asimetrike për komunitetet, që serbet të kenë të drejta kolektive të vet-menaxhimit, kurse komunitetet e tjera jo?”, shkroi ndër tjerash ai.

    Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike në Ballkan, profesori Daniel Serwer ka thënë se neni 7 ku flitet për “një nivel të vetëmenaxhimit” e shndërron Asociacionin në atë formë që e dëshiron Serbia.

    “Këto janë dispozita jo reciproke që synojnë të kënaqin popullatën serbe të Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të krahasueshme brenda Serbisë. Paragrafi i parë zëvendëson dispozitat në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM). Në vend të supozimit të asaj forme institucionale, ai përshkruan funksionet që dëshiron Beogradi nga një Asociacion i tillë: “vetëmenaxhimi” për komunitetin serb, “ofrimi i shërbimeve” i financuar pjesërisht nga Serbia dhe një “kanal i drejtpërdrejtë komunikimi” me qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Serwer në blogun e tij.

    Megjithatë parë në tërësi, sipas Serwer ky propozim përmirëson marrëdhëniet shtet-shtet. Madje sipas tij pikat së bashku çojnë në njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë si shtete sovrane dhe të pavarura, në të gjitha, përveç emrit. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!