×
  • Lajme
  • Lajme

    Plumba për familjarët, 6 vrasje të rënda brenda 5 muajsh në Kosovë

    Reporteri
    31 Maj 2019 | 18:39

    Duart e kosovarëve u përgjakën shumë herë në dy vitet e fundit. Madje, edhe me gjakun e familjarëve të tyre. Pa iu trembur syri, disa prej tyre shkrepën plumba në drejtim të anëtarëve të familjes së tyre, duke kryer kështu vrasje të rënda. Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti ndodhën gjashtë vrasje të tilla. Ndërkohë, në vuajtje të dënimit në burgjet e vendit për këtë vepër janë rreth 170 persona.


    Të hënën e 22 prillit, banesa e familjes Krasniqi në lagjen “Dardania” u mbulua e tëra me gjak. Po atë ditë, aty ndodhi një nga vrasjet më të rënda në vend gjatë viteve të fundit. Të vdekur mbetën tre anëtarë të kësaj familje.

    Kryefamiljari Hasan Krasniqi ua mori jetën gruas së tij, Hysnies dhe nuses së djalit, Remzies dhe më pas edhe vetës. Ai dyshohet se vrau gruan dhe renë vetëm pse dolën në qytet për të pirë kafe.

    61-vjeçari kishte qenë i njohur për organet e rendit, para dy viteve gruaja e tij e kishte lajmëruar në polici për tentim vrasje. Të njëjtit Gjykata Themelore ia kishte ndaluar që t’i afrohej bashkëshortes më shumë se 50 metra.

    Gjykata pati vendosur njëjtë edhe për fëmijët e tij, por kjo masë kishte ndryshuar pasi që fëmijët pas pajtimit me të atin kishin kërkuar ndryshimin e masës në Gjykatë të Apelit.

    Por, Hasani nuk është i vetmi që shtiu në drejtim të familjarëve të tij.

    Një vrasje e ngjashme e tronditi Gjakovën vitin e kaluar. Koridori i shtëpisë së familjes Marku nga Gjakova, u mbulua me gjakun e vajzës dhe mbesës së tyre.

    Nënë e bijë u vranë nga dhëndëri i kësaj familjeje. Valbona Ndrecaj bashkë me vajzën e saj u vranë me breshëri plumbash kallashnikovi nga bashkëshorti i saj, Pjetër Ndrecaj.

    Vrasjes së dyfishtë që tronditi Gjakovën, dyshohet t’i ketë paraprirë një konflikt i mëhershëm mes çiftit.

    Çifti kishin 16 vjet martesë, por pas një konflikti ishin ndarë, ani pse nuk ishin divorcuar ligjërisht. Ata kishin pesë fëmijë, tre prej të cilëve jetonin me Valbonën, e dy të tjerët jetonin me Pjetrin.

    E se diçka e tillë do të ndodhte, ishte e njoftuar edhe Policia e Kosovës. Pak orë para se të kryente vrasjen, dorasi e kishte kërcënuar viktimën përmes një mesazhi. Por, edhe ishin të njoftuar për këto kërcënime, Policia nuk arriti që ta parandalojë këtë tragjedi.

    Për këtë vepër, dorasi do të mbetet pas grilave gjatë gjithë jetës.

    Para tre muajve, Gjykata e Apelit shpalli dënim me burgim të përjetshëm ndaj Pjetër Nrecajt për vrasjen e gruas dhe vajzës së tij. Ky ishte dënimi i parë i formës së prerë në Kosovë që nga viti 2013 kur ka hyrë në fuqi Kodi i Ri i Penal.

    Fundi i vitit të kaluar solli edhe një ngjarje tjetër të rëndë për Kosovën.

    Polici Izet Demaj u vra në detyrë nga një grabitës, i cili ia kishte mësyrë ta vidhte një prej bankave në Istog.

    Grabitësi Kamer Metaj, pak minuta më vonë gjithashtu mbeti i vrarë, pasi u qëllua nga Policia e Kosovës.

    29 dhjetori ishte ditë zie në Kosovë, në nder të heroizimit të policit Demaj.

    Por, këto nuk janë rastet e vetme të vrasjeve të rënda që kanë ndodhur në vend viteve të fundit. Numri i tyre është i lartë edhe këtë vit.

    Vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti në vend kanë ndodhur tetë vrasje, gjashtë prej të cilave kanë qenë vrasje të rënda.

    “Duke ju referuar të dhënave në Policinë e Kosovës për rastet nga data 01/01/2019 deri 06.05.2019, janë evidentuar 2 vrasje dhe 22 tentim vrasje dhe 6 vrasje të rënda dhe 2 tentim vrasje të rënda”, thuhet në përgjigjet e Policisë.

    Në Polici thonë se krahasuar me vitin e kaluar, niveli i zbulueshmërisë së rasteve është rritur në mbi 75 për qind. Deklarojnë se disa prej vrasjeve janë me kryes të njohur, kurse disa nga rastet janë në proces hetimor.

    Ndërkohë, në Shërbimin Korrektues të Kosovës deklarojnë në vuajtje të dënimit për këtë vepër nëpër burgjet e vendit janë më shumë se 100 persona.

    Zëdhënësi i SHKK’së, Florent Gashi ka thënë se aktualisht në vuajtje të dënimit për vrasje të rëndë janë rreth 170 persona.

    Gashi ka treguar se për këtë vepër janë të dënuar persona nga mosha 18 vjeç e deri në 75 vjeçar, dhe se vijnë nga regjione të ndryshme të vendit.

    “Aktualisht, për veprën penale, “Vrasje e Rëndë”, nëpër institucionet korrektuese po vuajnë dënimin 169 persona. Për veprën penale, Vrasje e Rëndë, mosha e të burgosurve është e moshave të ndryshme, nga 18 vjeç deri në 75 vjeçar , dhe vijnë nga regjione të ndryshme të vendit”, ka thënë Gashi.

    Në këtë institucion deklarojnë se motivet e këtyre vrasjeve kanë qenë kryesisht hakmarrja, shkaqe pronësore dhe konfliktet mes dy grupeve.

    “Kanë qenë kryesisht motive për hakmarrje, shkaqe pronësore, konflikte mes dy grupeve dhe motive të ulëta”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.

    Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që kryen vrasje të rëndë dënohet me burgim jo më pak se 10 vite ose burgim të përjetshëm.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!