Gjatë ditës së sotme Kosova është goditur nga erëra të forta, mirëpo fshatin Dacaj në Komunë të Rozhajes e ka kapluar edhe një zjarr i madh.
Lexues të gazetës online Reporteri.net kanë dërguar video ku shihet se po digjen malet e Malësisë së Rozhajës, ku flaka e ka kapluar rreth e qark fshatin Dacaj.
Mirëpo, banorët tregojnë se deri më tani nuk ka pasur ndërhyrje nga zjarrëfikësit dhe se erërat e forta dhe moti i thatë po e ndihmojnë shpërndarjen e flakës.
“Po digjen malet e Malësisë së Rozhajës. Flaka ka kapluar rreth e qark katundit Dacaj. Deri më tani s’ka ndery askush nga zjarrfikësit. Era e fuqishme dhe moti i thatë po e ndihmojnë shpërndarjen e flakës më shpejtësi marramendëse ! Ndonjë piroman i çmendur mund ta këtë bërë këtë të keqe ..”, shkruan Ali Daci.
Banorët po ndihen të rrezikuar nga kjo, pasi që ende nuk iu kanë ofruar ndihmë për shuarjen e zjarrit./Reporteri.net