Kryeministri në detyrë, Albin Kurti i ka dërguar dje një letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Çështje të tjera Rajonal të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, përmes së cilës tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialogun me Serbinë, që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese midis dy vendeve.
Në këtë letër, Kurti ndër të tjerash paraqiti edhe ekipin negociator që sipas tij do të udhëhiqet nga veti ai, e ku presidenti Hashim Thaçi do të jetë anëtar.
Për këtë çështje Kurti sot është pyetur nga gazetarët në Prizren, ku ka folur për planin e tij për dialogun me Serbinë.
“Paralelisht me këshilltarët kam bërë edhe një lloj plani si do të zhvillohej dialogu i ardhshëm.
Ekipi i parë është politik ku përbëhet nga kryeministri, presidenti, kryekuvendarja dhe nga një përfaqësues i shtatë partive politike që janë në Kuvend duke e bërë këtë ekip 10 anëtarësh. Nevojitet edhe një ekip me ekspert të fushave të ndryshme, pasi në dialogun me Serbinë ka shumë tema që do të ngritën dhe jam duke e përgatitë edhe një ekip të tillë”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.
I pyetur rreth suksesit eventual të ekipeve, Kurti tha se nuk mund ta thotë tani.
“Nuk mundem të flas çfarë do të jetë suksesi i këtyre dy ekipeve. Për ekipin e parë do të varet edhe nga gatishmëria e të tjerëve, kurse ekipi i dytë do të varet prej meje”, tha Kurti. /Reporteri.net/.