×
  • Lajme
  • Lajme / VIDEO

    “Po nihna që s’ekzistoj”, historia e trishtë e nënës dhe tre fëmijëve pa asnjë dokument

    Reporteri
    15 Maj 2025 | 19:50

    Suerta Abazi, një grua 21-vjeçare nga Ferizaj dhe nënë e tre fëmijëve, po përballet me një situatë të pazakontë dhe të rëndë. Ajo thotë se, për shtetin, ajo dhe fëmijët e saj thjesht… nuk ekzistojnë.

    E lindur në Arnhem të Holandës, Suerta është riatdhesuar në Kosovë para dhjetë vitesh në bazë të prejardhjes nga babai. Por që nga kthimi, nuk ka arritur të regjistrohet në gjendjen civile, e rrjedhimisht nuk ka asnjë dokument identifikimi , as ajo dhe as fëmijët e saj.

    “Jam e lindur jashtë. Më kanë kthy në Kosovë që dhjetë vjet në bazë të babës. Unë jam e martume që 6 vjet. I kam tre fëmijë. As nuk jam e regjistrume. Kemi kërku ndihmë prej Ministrisë. Ata na e kanë bat ë mujshme mu regjistru ama këta të Ferizajt nuk po dojnë me na regjistru. Po lypin hala dokumenta.”, thotë ajo.

     

    Sipas saj, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë një vendim që i mundëson regjistrimin, por Komuna e Ferizajt refuzon ta bëjë këtë, duke kërkuar dokumente shtesë që ajo thotë se nuk i ka dhe nuk mund t’i sigurojë.

    “Nuk kam pasur kurrë dokumente atje. As nënën nuk e njoh hiq, e që jeton diku në Belgjikë. Babai më ka vdekur para pesë muajsh. Kam vetëm një ekstrakt lindjeje ku figuron emri i nënës dhe data ime e lindjes,” thotë Suerta.

    Burri i saj, Liridoni, thotë se mungesa e dokumenteve po e rëndon jetën e tërë familjes. Ata nuk kanë qasje në shërbime bazike.

    “Unë kërkoj ndihmë prej shtetit që fëmija e mi marrë dokumentet sa më shpejt”, thotë ai.

    Liridoni thotë se shteti duhet të ia sigurojë dokumentet.

    “Ku jemi tu nejt. A jemi në Kosovë a në xhungël? Fëmijët e mi mi gjet diçka kush jep përgjegjësi?.”, pyet ai.

    Komuna e Ferizajt, në një përgjigje për Reporteri.net, ka thënë se çështja nuk është në kompetencën e tyre. Sipas tyre, për regjistrimin e Suerta Abazit kërkohet një certifikatë lindjeje nga shteti i lindjes, përkatësisht nga Holanda. Ata theksojnë se në ekstraktin aktual mungojnë të dhënat për babanë dhe se nëna e Suertës nuk ka shtetësi të Kosovës.

    “Lindjet jashtë vendit trajtohen në nivel lokal vetëm për persona nën moshën 18 vjeç. Meqë zonja është mbi këtë moshë dhe nuk kemi kompetencë territoriale, rasti i saj nuk mund të zgjidhet në Komunën e Ferizajt,” thuhet në përgjigjen zyrtare.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!