×
  • Lajme
  • Lajme

    Podujeva synon bashkëpunime arsimore, bujqësore dhe ekonomike me Iowa-n

    Reporteri
    19 Prill 2025 | 15:15

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, gjatë një vizite zyrtare në shtetin Iowa të SHBA-së, ka zhvilluar disa takime me përfaqësues të institucioneve arsimore, bujqësore dhe ekonomike të qytetit Ames, me qëllim të krijimit të lidhjeve të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet dy komuniteteve.

    Sipas njoftimit, në takimin me kryetarin e komunitetit të Distriktit të Shkollave në Ames, Scott Grimes, anëtaren e fakultetit të Ames Middle School, Katrina Hardin Williams, dhe asistentin e kryetarit, Dr. Jeff Hawkins, u diskutua mundësia e fillimit të një programi pilot për shkëmbimin e 3 deri në 5 nxënës apo studentë, me mundësi zgjerimi në shkëmbime të stafit arsimor në të ardhmen.

    Kryetari Bulliqi dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu laboratorin e kondicionimit dhe selektimit të farave në Iowa State University, ku u pritën nga inxhinieri i bujqësisë, Alan Gaul. Gjatë vizitës u diskutuan mundësitë për bashkëpunim në fushën e bujqësisë, duke përfshirë shkëmbimin e farave, këshillimin profesional dhe analizat e tokës. Në këtë vizitë mori pjesë edhe drejtoresha e Bujqësisë në Komunën e Podujevës, Lirie Hoti.

    Po ashtu, përfaqësuesit nga Podujeva u takuan me përfaqësues të Aleancës Ekonomike Rajonale të qytetit Ames, ku u pritën nga Shannon Thiele, drejtoreshë e Zhvillimit të Fuqisë Punëtore, dhe Dylan Kline, drejtor i Zhvillimit të Biznesit në Dhomën e Tregtisë. Në këtë takim u diskutua për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet bizneseve të Podujevës dhe atyre nga Iowa.

    Sipas kumtesës, Bulliqi theksoi rëndësinë e këtyre kontakteve për krijimin e urave të bashkëpunimit dhe zhvillimit të mundësive të reja për qytetarët e Podujevës në fushat kyçe si arsimi, bujqësia dhe ekonomia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!