Policia e Kosovës ka arrestuar dy pronarë laboratorësh të analizave biokimike në Fushë Kosovë, të cilët dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, shkruan Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore.
„Gjatë operacionit të kontrollit në terren, në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor, janë konstatuar një sërë shkeljesh të dispozitave ligjore, që kanë rezultuar me mbylljen e
funksionimit të aktivitetit të këtyre laboratorëve. Në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim“, theksohet në njoftim.
Të dy pronarët janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente.
„Të gjitha veprimet janë realizuar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Inkurajojmë qytetarët që të jenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e shërbimeve shëndetësore dhe të raportojnë çdo dyshim për veprimtari të paligjshme pranë autoriteteve përkatëse“, përfundon njoftimi./Reporteri.net