×
  • Lajme
  • Lajme / Fushë Kosovë

    Policia deklarohet për dhunën që iu ushtrua një 3-vjeçari në çerdhe: Mirëqenia e fëmijëve prioritet, do të kryejmë hetim profesional e të paanshëm

    Reporteri
    19 Shtator 2023 | 15:42

    Policia e Kosovës është deklaruar rreth rastit të dhunës në një çerdhe në Fushë-Kosovë, ku një 3-vjeçar dyshohet se u rrah nga disa edukatore, transmeton Reporteri.net.

    Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës tha se është informuar lidhur me shqetësimet e ngritura në publik pas pamjeve të publikuara ndërlidhur me pretendimet për sjellje të papërshtatshme, në kundërshtim me etiken, apo me nuanca dhune, nga ana e disa edukatoreve në një kopsht fëmijësh në Fushë-Kosovë.

    “Pas publikimit të pamjeve të tilla  ne kemi marrë seriozisht pretendimet e ngritura dhe menjëherë kemi filluar një hetim preliminar për çështjen. Aktualisht zyrtarët policor po vijojnë punën për mbledhjen e të gjitha provave që janë të arritshme, intervistimin e personave që në çfarëdo rrethane dhe çfarëdo cilësie kanë mundur të jenë të implikuar në rast, po shqyrtohen raportet mjekësore, pamjet e publikuara si dhe po analizohen ato”, tha Policia.

    “Veprimet policore po koordinohen me prokurorin e shtetit si dhe po bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha agjencitë për mbrojtjen e fëmijëve dhe autoritet e tjera përkatëse. Ndonëse e  kuptojmë interesin e publikut për çështjen, si dhe shqetësimin e komunitetit e veçmas  prindërve dhe kujdestarëve, ne duhet të jemi të  vëmendshëm për të balancuar nevojën për transparencë  me nevojën për të  mbrojtur integritetin e hetimit. Për  ne siguria dhe mirëqenia e fëmijëve është ndër prioritetet kryesore por njëkohësisht jemi të përkushtuar për të kryer një hetim profesional dhe të paanshëm, për të zbardhur të vërtetën dhe për të ndërmarrë veprimet e duhura bazuar në gjetjet e hetimit”, tha tutje.

    Policia, tha se “Vlerësojmë komunitetin për  mirëkuptimin  dhe sigurojmë që ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje që vendi ynë të mbetet i sigurt për të gjithë”.

    Një ditë më herët, familjarë të 3-vjeçarit, publikuan në rrjetet sociale, incizime nga kamerat e sigurisë në çerdhen “Gëzimi Ynë” në Fushë Kosovë, ku thanë se shfaqen edukatoret duke ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

    Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, tha për mediat se edukatoret që dyshohet të jenë përfshirë në këtë rast do të pezullohen nga puna pasi të përfundojnë intervistimin në polici.

    Ndërkaq, koalicioni i organizatave joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) ka reaguar pas kësaj ngjarjeje.

    “Nisur nga kjo ngjarje e rëndë, KOMF bën thirrje që institucionet përgjegjëse në përmbushje të mandatit të tyre, të ndërmarrin menjëherë veprimet dhe masat e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, tha ky koalicion.

    KOMF po ashtu u bëri thirrje institucioneve që të intensifikojnë monitorimin dhe inspektimin e institucioneve parashkollore në Kosovë “në mënyrë që të parandalohen raste të tilla”.

    Ky koalicion rikujtoi se sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve dhe legjislacioneve të tjera, është e ndaluar çdo formë e dhunës ndaj fëmijëve, përfshirë ajo fizike, psikologjike dhe neglizhimi i fëmijëve.

    Sipas familjarëve që kanë publikuar pamjet, 3-vjeçari është rrahur nga dy edukatore, duke pretenduar se në dhunë janë përfshirë edhe pastruesja dhe kuzhinierja e këtij institucioni. Ata thanë po ashtu se fëmija po përjeton “trauma të rënda psikike, nuk mund të flejë më dhe po përjeton ankth të madh”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    Reporteri, © 2023 Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!