×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia dhe Inspektorati në aksion, dënojnë lokalet dhe qytetarë që nuk zbatojnë masat

    Reporteri
    09 Prill 2021 | 20:56

    Policia e Kosovës dhe Inspektorati janë duke inspektuar lokalet në Prishtinë për të parë nëse po zbatohen masat e qeverisë kundër coronavirusit.


    Reporteri.net ka siguruar një video ku shihen forca të mëdha të policisë dhe inspektorët duke e gjobitur njërin nga lokalet në qendër të Prishtinës. Ata po ashtu kanë gjobitur edhe qytetarët që kanë qenë duke pirë kafe në afërsi të lokaleve.

    Policia ua ka marrë dokumentet e identifikimit të gjithë qytetarëve që kanë qenë duke pirë kafe.

    Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë ka miratuar masa të reja për parandalimin e mëtutjeshëm të përhapjes së coronavirusit të ri (COVID-19).

    Masat e reja të cilat u miratuan në qeveri , parashohin 46 pika të ndryshme lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë të cilat erdhën si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve që u regjistruan gjatë ditëve të fundit si pasojë e COVID-19.

    Qytetarëve në të gjithë territorin e Kosovës me vendimin e ri nuk do t’u lejohen lëvizja e lirë nga ora 10 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, përveç rasteve të natyrës urgjente.

    Vendimi gjithashtu parasheh edhe që qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë të kenë test negativ për COVID-19.

    Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit para-universitar do kalojnë në mësim “online” nga 12 deri më 18 prill, ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

    Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill.

    “Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim ‘merr me vete’, ‘dërgesë me porosi’ dhe ‘drive-through’”, tha ministri Vitia në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.

    Vendimi ndalon edhe veprimtarinë e qendrave të mbyllura tregtare përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre siç janë marketet ushqimore dhe farmacitë nga data 6 prill deri më datë 18 prill, ndërsa në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet.

    Në institucionet publike dhe private obligohen që të paraqitet në punë vetëm stafi i cili kryen shërbime esenciale, ndërkaq vendimi obligon përgjegjësit e institucioneve publike dhe private të definojnë stafin esencial për nevojat e institucionit me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

    Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është e obliguar, përpos rasteve kur ngasësi i automjetit është me familjen e ngushtë, gjatë vrapit dhe çiklizmit, si dhe gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!