Policia e Kosovës në Mitrovicë e ka konfirmuar edhe zyrtarisht se një vajzë e re kishte ikur nga shtëpia dhe kishte qëndruar për katër ditë në mal, me pretendimin se ishte ngacmuar seksualisht nga babai i saj, shkruan Reporteri.net.
Reporteri.net sot ka raportuar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Mitrovicë, ku një vajzë e re e ka raportuar në Policinë e Kosovës babanë e saj për ngacmim seksual.
Vajza pretendon se ngacmimi ka filluar që në vitin 2018, por në dy javët e fundit ai e kishte intensifikuar kërkesat për të kryer marrëdhënie seksuale me të bijën. Nga kjo ajo ishte detyruar që të braktisë shtëpinë dhe për katër ditë të qëndrojë në një mal në fshatin Vojtesh.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, rajoni i Mitrovicës, Fexhrie Pllana.
“Me datën 24.08.2020 rreth orës 18:00 është raportuar rasti “ Bgacmim”. Sipas viktimës ajo ka qëndruar jashtë shtëpisë në mal në fshatin ‘Vojtesh” Mitrovicë prej datës 21-24.08.2020. Viktima ka raportuar rastin ngacmim ku i dyshuar sipas saj është prindi(babai) i saj”, ka thënë Pllana për Reporteri.net.
Ajo ka thënë se viktimës i është dhënë ndihma mjekësore.
“Hetimet rajonale kanë intervistuar viktimën në prezencë të mbrojtësit të viktimave, dhe më pas është strehuar në strehimore. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, është intervistuar dhe me udhzim të prokurorit kujdestar është liruar në procedurë të rregullt. Ndaj tij është inicuar rasti “Ngacmim””, ka thënë Pllana për Reporteri.net.
Reporteri.net i ka edhe emrat e të përfshirëve në këtë rast, por për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes ata nuk do të bëhen publik. /Reporteri.net