Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar për komprometimin e mbi 300 mijë kartelave bankare në një shtet të Bashkimit Evropian, shkruan Reporteri.net.
Aksioni për arrestimin e tij është zhvilluar në Prishtinë dhe Ferizaj, në bashkëpunim edhe me autoritetet e një shteti të BE’së, por Policia nuk e ka specifikuar se për cilin shtet bëhet fjalë.
“Pas një hetimi disa mujor, është arrestuar një person i dyshuar për hyrje të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-së. Ky veprim ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm. I dyshuari dyshohet se i ka postuar për ti shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme”, thuhet në njoftim.
Pas kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme.
“Me vendim të Prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme. Hetime tjera janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin”, thuhet tutje në njoftim.