Një person me inicialet Sh.B. është paraqitur në Stacionin Policor në Prizren, duke pretenduar se është ndjerë i kanosur pas publikimit të një interviste në media, ku ai është përmendur si i dyshuar për krime lufte.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti është iniciuar si “Kanosje”, pas njoftimit të Prokurorit të Shtetit.
“Personi mashkull Sh.B. është paraqitur në Stacionin Policor në Prizren dhe ka paraqitur ankesë, duke pretenduar se pas publikimit të një interviste në media, në të cilën ai është përmendur si i dyshuar për krime lufte, ai ndihet i kanosur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia ka bërë të ditur se personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, me inicialet E.SH., është ftuar për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
“Personi ndaj të cilit është paraqitur ankesa, mashkull E.SH., është ftuar dhe intervistuar në cilësinë e të dyshuarit, në prani të avokatit”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, sipas Policisë, rasti është proceduar si “Kanosje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
“Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si ‘Kanosje’, ndërsa i dyshuari E.SH. është liruar në procedurë të rregullt”, ka njoftuar Policia.
Policia ka bërë të ditur se për informata të tjera lidhur me këtë rast duhet t’i drejtohet Prokurorisë kompetente.