Policia e Kosovës ka dhënë detaje për një plaçkitje që ka ndodhur dje në një pikë karburanti të kompanisë “Shell” në fshatin Piranë të Prizrenit.
Policia njofton se në Prizren dy viktimat meshkuj, kanë raportuar se derisa ishin duke punuar në pikën e karburanteve kanë shkuar dy persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur arkën me para dhe disa pako me cigare, shkruan Reporteri.net.
Sipas policisë në lidhje me rastin nuk ka ende ndonjë të arrestuar.
Në raportin policor thuhet se të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur ndërsa nuk raportohet për të lënduar.
Kujtojmë se pika e karburanteve që është plaçkitur është pronë e kompanisë “Fatoni”, por që tash menaxhohet nga kompania e karburanteve “Shell”.
Kohë më parë atyre u ishte plaçkitur edhe shtëpia në fshatin Piranë, ku u ishin vjedhur 100 mijë euro.
Reporteri.net ka siguruar edhe videon ku shihen dy grabitësit që nën kërcënimin e armës kryejnë grabitjen.