Grabitja e shtëpisë së një mërgimtari në Shtime gjatë ditës së djeshme doli të jetë fatale për Fehmi Gashin nga Prishtina.
Ai u rrah për vdekje nga pronarët e shtëpisë ku kishin hyrë për të plaçkitur para.
Bashkë me Gashin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërkaq që dyshohet se njëri prej tyre edhe e kishte plagosur njërin nga pronarët e shtëpisë.
E Policia e Kosovës është mobilizuar për t’i gjetur e arrestuar edhe grabitësit tjerë të përfshirë në këtë rast.
Majori i Policisë Rajonale të Ferizajt, Mehmetali Hajdini, për lajmi.net tha sot se tri njësi të Policisë së Kosovës janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të grabitjes që rezultoi me fatalitet.
Ai thotë se Policia është ende në fazën e hetimeve, mirëpo se i kanë disa informacione.
“Jemi ende në fazën e hetimeve. Po punojmë në identifikimin dhe zbardhjen e rastit. Aktualisht tri njësi janë të angazhuara në këtë rast. Kemi disa informacione mirëpo ende jo diçka konkretete”, ka thënë Ajdini për lajmi.net.
E ndaj vëllezërve Ndrecaj, pronarë të shtëpisë ku ndodhi grabitja, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit.
Kujtojmë, se një rast i ngjashëm me atë të ditës së djeshme kishte ndodhur edhe në nëntor të vitit të kaluar në Veternik të Prishtinës, nga ku në tentim-grabitje, ishte vrarë hajni nga pronari i shtëpisë.
Ndaj këtij të fundit, nuk ishte raportuar se është hapur rasti.