Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar Ikballe Hadutin, aktiviste e njohur për mbështetjen e rrymës fetare iraniane në Kosovë, e cila ditë më parë pas vrasjes së gjeneralit iranian, kishte reaguar ashpër në rrjetet sociale duke kritikuar Amerikën dhe presidentin Trump.
Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje për arrestimin e Ikballe Hudutit në bazë të urdhëresës se lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.
Policia njofton se gjatë bastisjes në shtëpinë e së të dyshuarës janë konfiskuar disa pajisje elektronike si edhe dëshmi të tjera relevante.
“Prishtinë 07.01.2020 – 11:00. Drejtoria Kundër Terrorizmit në bashkëpunim me PSRK-në dhe në bazë të urdhëresës se lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka kryer bastisje në shtëpinë e së të dyshuarës femër k-shqiptare. Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarës janë konfiskuar disa pajisje elektronike si edhe dëshmi të tjera relevante. E dyshuara është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton policia./Reporteri.net